Lajme

Moti i keq, probleme në disa qytete. Por shiu shuan edhe zjarret në pyje

I gjithë vendi është pushtuar nga reshjet e shiut dhe moti i vranët.

Reshjet e shiut kanë qenë me dendësi të lartë në shumë qytete.

Në Vlorë era e fortë ka marrë me vete shezlonge dhe çadra, duke u “shkatërruar” pushimet pushuesve.  

Ndërkohë në Fier shtrëngatat e shiut mëngjesin e kësaj të mërkure kanë shërbyer për të shuar flakët e zjarrit në Seman, të cilët forcat zjarrfikëse po mundoheshin prej tri ditësh.

Në Kukës reshjet kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e nivelit të ujit në liqenin e Fierzës, i cili aktualisht është 279 m mbi nivelin e detit.

Ndërkohë, edhe basenet kryesore të qytetit që furnizojnë me ujë të pijshëm janë mbushur plot, duke bërë që banorët të mos kenë mungesa. Megjithatë, shiu ka shkaktuar probleme në disa prej rrugëve kryesore si pasojë e amortizimit.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme edhe në Tepelenë.

Nga intensiteti i lartë i shirave janë bllokuar rrugët në disa fshatra si: Allkomemaj, Buz, Rabije. Ndërkohë, në disa fshatra të tjera, më konkretisht në Anë Vjosë, Qesarat, Danaj, Canaj, Izvor, Bylysh në Tepelenë kanë mbetur pa energji elektrike.

Reshje të dendura shiu ka pasur edhe në Gjirokastër. Si pasojë e rrëzimit të një peme është bllokuar aksi nacional Gjirokastër-Kakavijë në afërsi të Lazaratit, duke shkaktuar radhë të gjata kilometrike të automjeteve në dy kahet e rrugës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë