Politike

“Mother Jones”, sërish për lobimin e PD dhe pyetjen e Bashës në prokurori

Ndërkohë që Tirana “vlon” mes hetimeve për lidhjet e lobimit të Partisë Demokratike me para ruse, gazeta amerikane “Mother Jones”, e cila ishte edhe zanafilla e këtyre akuzave, ka një shkruar një artikull për marrjen në pyetje të Lulzim Bashës nga Prokuroria, por rreth edhe situatës politikë në Shqipëri.

“Mother Jones” shkruan se autoritet shqiptare kanë marrë tanimë informacione nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe autoritet skoceze, ndërkohë që kreu i PD-së mohon akuzat, duke theksuar se hetimi është i motivuar politikisht.

“Prokurorët shqiptarë morën në pyetje të hënën kreun e partisë kryesore opozitare lidhur me pagesën prej 600,000 dollarësh që Partia Demokratike thuhet se i dha në vitin 2017 një lobisti republikan në Uashington DC”, shkruan gazeta, duke theksuar se hetimi vjen më shumë se një vit pasi ajo raportoi se lobimi ishte financuar nga një kompani guaskë me bazë në Skoci, e lidhur me shtetas rusë.

“Mother Jones” shkruan se fotoja e kreut të Partisë Demokratike me presidentin Donald Trump u mundësua nga Nick Muzin, një lobist që dikur ka punuar për senatorin Ted Cruz dhe ishte pjesë e stafit të Trump gjatë fushatës presidenciale. “Ai organizoi fotografinë e Lulzim Bashës me Presidentin Donald Trump dhe kishte organizuar takimet me anëtarët e Kongresit, të gjitha këto për të rritur mbështetjen për Partinë Demokratike në Tiranë, ndërkohë që organizonte një sërë protestash kundër qeverisë”, thekson gazeta amerikane.

Sipas saj, prokurorët shqiptarë kanë marrë letra nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara dhe ato skoceze, duke kërkuar informacion mbi tarifat e paguara nga PD-ja dhe kompania guackë “Biniatta Trade”, në një firmë lobimi e drejtuar nga Muzin. Duke cituar burime nga prokuroria, “Mother Jones” raporton se letrat vijnë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

“Prokurorët thonë se dyshojnë se partia e Bashës ka shkelur ligjet duke mos justifikuar burimet e shumës prej 650,000 dollarësh që i kishte paguar Muzinit në vitin 2017. Partia kishte paguar Muzin për të prezantuar Bashën me zyrtarët amerikanë, ndërkohë që ky i fundit ishte zotuar para tyre për ta ‘bërë Shqipërinë e madhe sërish". Sipas prokurorëve, përveç Bashës edhe tre zyrtarë të tjerë të PD-së, shkruan “Mother Jones”. “Prokuroria thotë se PD-ja kishte deklaruar se kishte paguar vetëm 25,000 dollarë për lobimin, pa zbuluar pagesën prej 650,000 dollarësh. Në dosjet e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Muzin raportoi të ketë marrë këtë shumë të madhe si kompensim për punën e tij për PD-në. Ndërkohë letrat nga SHBA-ja dhe Skocia tregojnë se PD nuk ka bërë asnjë deklaratë për këto pagesa, në kundërshtim me ligjin", thekson ajo.

Nga ana tjetër, në një letër drejtuar Prokurorisë javën e kaluar, Basha mohoi akuzat, duke deklaruar se ky hetim ishte i motivuar politikisht. “Mother Jones” përmend edhe valën e protestave të opozitës kundër kryeministrin Edi Rama

“Që nga fundi i vitit të kaluar, Basha dhe partia e tij kanë udhëhequr një sërë protestash kundër qeverisë duke kërkuar dorëheqjen kryeministri Edi Rama. Në shkurt, mijëra njerëz protestuan jashtë zyrës së Ramës kundër korrupsionit të qeverisë. Disa protestues sulmuan ndërtesën me shufra hekuri duke thyer derën e përparme. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës. Basha fajësoi qeverinë për trazirat dhe e mbylli tubimin duke lajmëruar mbajtjen e një dite tjetër proteste. Në një tjetër tubim të madh jashtë parlamentit këtë muaj, Basha udhëhoqi një grup protestuesish që u përpoqën të thyenin kordonin e policisë duke hedhur bomba tymi”, shkruan “Mother Jones”.

Gazeta amerikane citon edhe argumentin e Bashës në letrën e tij për Prokurorinë, sipas të cilit dëshmitë për lobimin dolën në dritë muaj më parë, por prokurorët vendosën ta merrnin në pyetje vetëm pas valës së protestave. “Kjo kohë më bën të mendoj se hetimi juaj është ndërmarrë për propagande politike", tha Basha.

Në mars të vitit 2018, “Mother Jones” raportonte se kompania “Biniatta Trade” u krijua nga dy kompani me bazë në Belize, të cilat kontrolloheshin nga dy kompani të tjera të mbikëqyrura nga shtetasit rusë. “Investigimi ynë nuk zbuloi përfshirjen e qeverisë ruse, por mbështetja financiare e ‘Biniatta Trade’ për PD-në erdhi në një kohë që ekspertët paralajmëronin se Rusia po përpiqet të përparojë në Ballkan”, shkruan “Mother Jones”, duke theksuar se nga ana tjetër, të gjitha partitë politike në Shqipëri kanë tendencë të jenë tejet miqësore ndaj Shteteve të Bashkuara.

Raportet e gazetës amerikane për financimin e lobimit misterioz në Uashington për lidhjet e PD-së me Rusinë morën një vëmendje të jashtëzakonshme Shqipëri, ndërkohë që demokratët akuzuan Partinë Socialiste se pagoi “Mother Jones” për të publikuar raportin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë