Editorial

Mosrritja e çmimit të energjisë një kosto besimi për vetë Ramën dhe fitore e përkohshme e publikut

Logjika politike të detyron ta mendosh se çmimi i ri 4- fish më i lartë i energjisë për familjarët që kosumojnë mbi 800 kwh do të sillte pakënaqësi sociale të forta ndaj qeverisë.

Ajo tha se janë pak familje që do të preken, dhe ata janë më të pasurit-4 për qind e gjithë familjeve.

Gazeta “Si” tregoi se të dhënat zyrtare mbi të cilat mund të bazohej vendimi tregonin mjaft paradokse. Paqartësia e tyre dhe mungesa e analizave të çon të gjykosh se numrat  mund të jenë më shumë dhe familjet që do të revoltohen për shkak të një fature që do të katërfishohet do të jenë më shumë se ai 4 për qindëshi i llogaritur nga qeveria.   

Por ky është vetëm aspekti sasior.

Nëse do të ishte vetëm kjo pakënaqësi në pritje, ndoshta edhe mund të menaxhohej me shumë sforcime dhe sekëlldi nga qeveria e cila shpresonte për një përmirësim të afërt .

 Por nëse ajo do t’i bashkohej shportës së pakënaqësive tashmë të krijuara me çmimet e larta të ushqimeve të cilat në gusht u bënë  14 % më të shtrenjta: çmimin e lartë të karburantit dhe taksat brenda tij;  shtrenjtimin 40 për qind të banesave;  mungesën e punës, me ekonominë  e cila u shfaq me rënie në tremujorin e dytë;  mbërritjen e studentëve, dhjetorin e ftohtë, skandalet korruptive, paralajmërimet e arsimtarëve për rritje pagash, vrasjet mafioze zinxhir në mes të ditës, kërcënimet me protesta nga opozita etj do të krijonte një lëmsh hallesh të zjarrtë  që nuk e shpleks dot dhe as e shuan se të djeg duart.

Rritja e çmimit të energjisë do të ishte si t’i hidhje benzinë këtij zjarri –ose zemereku që kurdis kohën kur do të shpërthejë bomba sociale e pakënaqësisë me një efekt multiplikativ negative edhe për ekonominë.

Ndaj shtyrja e vendimit për të mos aplikuar çmimin e ri, lajmëruar nga vetë zoti Rama, çka barazohet me peshën e lajmit, mund të shpjegohet edhe me arsye politike megjithëse kryeministri dha arsye të tjera.

Ai tha se shqiptarët kursyen me shumë dhe se rezerva hidrike u përmirësua nga shirat e fundit.

Por këto arsye që duhet të ishin shteruese dhe bindëse, nuk e mbyllën thesin e erërave të forta të pakënaqësive dhe dyshimeve. 

Kur vendosi të rrisë çmimin, qeveria nuk gënjeu kur tha se rezerva hidrike ka rënë dhe  se ishte rritur disa fish çmimi i energjisë së importit prej nga ne sigurojmë deri në 40 përqind të nevojës për konsum.

Buxheti kërkonte shumë më shumë para për të blerë të njëjtën sasi si dikur.

Për të garantuar një pjesë të fondeve qeveria vendosi që një pjesë të barrës të mos e mbaj vetëm ajo por ta ndajë edhe më familjet.

Paralelisht nisi edhe një fushatë sensiblizuese me këshilla praktike kursimi për të mos harxhuar para duke përdorur rrymën më shumë se duhet.

 Gazeta “Si” ju bashkua kësaj nisme se është e bindur se kursimi, apo përdorimi me eficiencë i energjisë sjell një përfitim të drejtëpërdrejtë monetar për familjet duke relaksuar buxhetin e shtetit dhe sistemin energjitik nga një barrë e rëndë financiare.

Domethenë si kur vendosi të rrisë çmimin, si kur vendosi të mos e rrisë , shkaqet sipas qeverisë janë vetëm teknike. Por as në rastin e parë dhe as në të dytin publikut nuk ju tregua se cili është ai nivel hidrik, poshtë të cilit çmimi duhet ulur dhe mbi të nuk duhet rritur. Cili është ai niveli kursimi, poshtë të cilit çmimi për familjet duhet rritur dhe sipër tij nuk duhet rritur. Ose cili është ai këmbim i këtyre dy faktorëve dhe shumë të tjerëve që përcaktojnë çmimet e energjisë për kosum familjarë.

Nga ana tjetër vendimi për të mos rritur çmimin njollosi përfundimisht institucionet e pretenduara të pavaruar si dhe aftësinë analitike, parashikuese, dhe ekspertizën e të gjithë agjencive qeveritare.

 Mbi cilat argumenta ERE do të dalë sot të zhbëjë një vendim kur dy javë më parë mbështeti qeverinë për të rritur çmimin, ndonëse ky është një turp më  vete sepse duhet të ndodhte e kundërta.

Nga ana tjetër, kaq institucione të dobëta kemi sa nuk arrijmë dot të parashikojmë më mirë motin, tregun, sjelljen konsumatore më larg se dy javë , kohë kur u mor vendimi për rritjen e çmimit të energjisë për familjarët sa të çojnë qeverinë drejt një vendimi të nxituar ?!

 Pas kaq vitesh ende nuk kemi sot një sistem shtetëror të dhënash të cilat të mund të na japin me një shkallë probabiliteti të lartë, një cilësi parashikimi të vlefshëm për vendime strategjike produktive dhe të besueshme?! 

E vetmja gjë më vlerë nga gjithë kjo histori janë thirrjet dhe sensiblizmi për të kursyer energjinë elektrike. Gazeta e mbështeti këtë nismë sic edhe sygjeron që ndjeshmëritë më pas të kthehen në plane qeverisëse për të ndryshuar  thelbësisht mënyrën sesi ne përdorim dhe e kërkojmë energjinë elektrike. Ky proces nuk është se ka nisur po ka nevojë urgjente të nxitohet. Gjithsesi për sakohë gjërat të ndryshojnë dhe përsa kohë ka kaq dyshime pse të mos besojmë se rritja e çmimit nuk u bë për arsye politike dhe për rrjedhojë edhe kur u vendos rritja kishte të njëjtën prapavijë.

Ndaj dhe vendimi i nxitur dje, sot është një kosto mosbesimi për vetë Ramën, dhe një ‘fitore’ e vogël dhe e përkohshme për familjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë