Menaxhim

Çudia e konsumit të energjisë nga një familje shqiptare

Nga Gisela Troplini - Sipas shërbimit Meteorologjik, në 2021,  dhjetori ishte muaji më i ftohtë dhe gushti më i nxehti, por konsumi i energjisë nga familjet ishte shumë larg tavanit prej 800 KWh mbi të cilin çmimi që do të paguajmë pritet të jetë disa fish më i shtrenjtë.

Konsumi mestar mujor ishte 280 KWh në dhjetor kur një familje shqiptare harxhoi 310 dhe në gusht 227 KWh.

Këto shifra Gazetasi.al i gjeti duke matur herësin e konsumit të energjisë me numrin e abonentëve familjarë, që sipas Entit të Energjisë është 1.1 milion.

Atëherë, pse qeveria vendosi një fashë kaq të lartë, kur kishte mundësi ta ulte tavanin dhe të arkëtonte më shumë para? A është ky një favor apo matjet energjisë dhe numri i abonentëve nuk i afrohen realitetit?

Në tabelën shoqëruese kur  vendosi tavanin  e fashës së parë qeveria  tregoi sa konsumon çdo pajisje në të përditshmen e një familje normale dhe rezultoi se pa pacënuar cilësinë e funksioneve 800 KWh mjafton.

Tabela e publikuar nga MIE për konsumin e energjisë sipas pajisjeve shtëpiake

Atëherë, si ka mundësi që nga të dhënat zyrtare pikërisht nga Enti i Energjisë, rezulton që mesatarisht, shqiptarëve në muajin më të “keq” iu duhen maksimalisht, 310 KWh

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje i bëjmë llogaritë pak më ndryshe.

Konsumi mesatar vjetor rezulton 280 KWh ose 2.8 herë më i vogël se tavani 800 KWh.

Le t'i skontojmë dhe numrin e herëve që përdorim pajisjet me të njëjtin koeficient.

P.sh, pajisjet si frigoriferi, kondicioneri, soba, TV etj, që qeveri llogarit se përdoren në 30 ditë të muajit, sipas shifrave të konsumit real, ato përdoren 2.8 herë më pak , pra në 10 ditë në muaj. Ato si lavatriçja dhe larja e enëve që përdoren 8 herë në muaj, duhet përdoren 2.8 herë më pak, vetëm 3 herë në muaj.

Tabela e konsumit të energjisë sipas pajisjeve shtëpiake, Gazeta "SI"

I vetmi shpjegim që mbetet se pse konsumi zyrtar është mesatarisht disa fish më i ulët se konsumi që ka nevojë për një jetesë normale një familje, ashtu siç thotë vetë qeveria, janë vetë familjet.

Numri i kontratave për abonentët familjarë, është 1.1 mln,(2021) ndërsa numri i familjeve është  768.963 të tilla, (Cens 2011).

Që këtu ka një diferencë numrash që mund të shpjegohet me shtëpi të dyta apo familje që kanë emigruar.

Vetë censusi i fundit i përket një dekade më parë dhe nuk pasqyron denjësisht ndryshimet në familje. P.sh ai thotë se të gjithë familjet së bashku në të gjithë Shqipërinë kanë vetëm 81 mijë kondicionerë! Vetëm 24 mijë pjatalarëse apo 127 mijë mikrovalë!!.

Qeveria pretendon se mbi 800 kilovatë konsumojnë vetëm 4% e familjeve. Të tjerë zëra pretendojnë se numri i familjeve që preken nga rritja e çmimit është shumë herë më i madh. Debati ia vlen jo vetëm për numrin, por edhe për vendimin. Por koha dhe qasjet ndaj problemeve të energjisë po rrjedhin më shpejtësi, ndaj dhe Shqipëria ka nevojë urgjente për vendime të bazuar mbi matje të reja dhe profesionale. Një census i ri sa më shpejt do të ishte një parapritë e mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë