Ekonomi

Rritja ekonomike u ngadalësua, rënie në ndërtim, industri dhe energji

Nga Gazeta 'SI' - Produkti i Brendshëm Bruto i Shqipërisë, është rritur me 2.23% në tremujorin e dytë 2022, nga e njëjta periudhë e një viti më parë dhe ka rënë me 1.16% krahasuar me tremujorin paraardhës 2022. Në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, rritja ekonomike raportohej 17.9%.

Rritja vjetore është më e ulta pas asaj të 2020-s, kur vendi ishte i izoluar nga masat anti-Covid dhe shënoi rënie mbi 10%.

Ulja e rritjes së ekonomisë sipas aktivitetit të sektorëve, është ndikuar nga rënia në sektorin e arteve, argëtimit dhe shërbimeve me 5.36%, aktivitetit ndërtues, me 5.26% dhe industrisë, energjisë e ujit, me 3.85%, tregues që zënë peshë të madhe në normën e PBB-së.

Me rënie janë raportuar edhe aktiviteti i administratës publike, arsimit, shëndetësisë me 3%.

Rritje të ndjeshme në raport vjetor, ka pasur sektori bujqësor, pyjet dhe peshkimi me 1.55%, kur një vit më parë, ajo u rrit me vetëm 0.1%. Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 11.42%.

Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 13.2%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 11.38%.

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi dhe tregon mallrat dhe shërbimet e përdorura nga familjet individuale ose komunitetet, u rrit me 8.95%. Konsumi final i qeverisë pësoi rënie me 8.5%. Ky tregues përmban vlerën e shërbimeve jotregtare të kryera nga administrata publike dhe nga institucionet jofitimprurëse në përfitim të komuniteteve ose grupe familjesh.

Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks pësoi rënie me 6.69%, që rezulton më e larta, tregon shpenzimet e reja në kapital të prodhuesve, më synim rritjen dhe zgjerimin e kapacitetit të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë