Politike

“Mos ndërhyni në çështje të brendshme!” Astiri përplas Veliajn me Vetëvendosjen!

Një reagim i ‘Vetëvendosjes’ në Shqipëri mbi situatën e krijuar këtë të martë në zonën e Astirit, ka shkakuar përplasje dhe tensione mes VV-së dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Bashkia ka reaguar mbi deklarimin e Vetëvendosjes dega Tiranë, duke e cilësuar atë dashakeq dhe të pakuptimtë. Madje në deklarim Bashkia e Tiranës shprehet se reagimi i VV-së në Tiranë është një ndërhyrje në punët e brendshme të kryeqytetit.

Vetëvendosje në Tiranë përmes një deklarate kërkoi që policia të distancohej nga dhuna e ushtruar ndaj qytetarëve për një projekt të dyshimtë.

"Dhuna sistemike mori sot formën e dhunës direkte te Astiri", deklaronte VV" -Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri bën thirrje së pari për ndaljen e të gjitha veprimeve nga ana e organeve shtetërore që mund ta tensionojnë situatën edhe më tej duke shkaktuar lëndime dhe viktima.Korrupsioni, skandalet, parregullsitë dhe standardet e dyfishta e kanë karakterizuar të gjithë procesin e projektit të “Unazës së Re”. Një shtet i së drejtës nuk ndërtohet përmes një pushteti arbitrar me dhunë strukturore e direkte ndaj qytetarëve. Çështja e pronave në zonën e “Astirit” duhet të zgjidhet duke përdorur një standard të drejtë e të barabartë për të gjithë qytetarët", thekson ajo.

Por Veliaj ironizou deklaratën, duke u shprehur se VV ka fituar votën popullore në Kosovë për të qeverisur vendin dhe jo për të bërë propagandën njëlloj si opozita.

“Bashkia e Tiranës është thellësisht e keqardhur për degradimin e rëndë në të cilin ka përfunduar Lëvizja Vetëvendosja dega Tiranë, e cila sot ndërhyri në punët e brendshme të qytetit për një projekt lokal, por jetik për kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve. Ne dimë se Vetëvendosja është votuar të qeverisë Kosovën dhe jo të bëjë djalin e Fahriut apo suflerin e Orjolës në Tiranë. Nëse Vetëvendosja kërkon të marrë votat e një PD-je të degraduar, kjo nuk bëhet duke e imituar atë, por duke treguar se bën tjetër lloj politike!”-shkruhet në reagimin e Bashkisë.

Këtë të martë në orët e para të mëngjesit në zonën e Astirit në Tiranë kanë mbërritur një sërë makinerish të IKMT (inspektoriatit kombëtar të mbrojtjes së territorit) për të shkatërruar rreth 33 godina. Protestuesit e kësaj zone, që e mbrojnë me tubime prej një viti pronën e tyre janë përplasur ashpër me policinë e për pasojë nga të dyja anët ka patur persona të lënduar.

Qëllimi i aksionit të IKMT-së sot, është për të liruar rrugën për zbatimin e projektit të Unazës së Madhe, një tender i cili qëndroi heshtur për disa muaj pas plasjes së skandalit me kompaninë fituese të lotit të saj të parë. DH Albania, kompania fituese e lotit të parë miliona eurosh, rezultonte të ishte një kompani fantazëm dhe që kishte fituar tenderin në mënyrë dukshëm të dyshimtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë