Politike

“Mos hapni llafe se s’do jem në Vlorë”, Rama flet edhe për tunelin e Llogarasë: E nisim vitin tjetër

Mos hapni llafe që nuk do jem në Vlorë”, tha kryeministri Edi Rama pas më shumë së gjysmë ore fjale të mbajtur gjatë fillimit të punës për Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë që do të lidhë bulevardin “Ismail Qemali” me buzën e detit dhe Lungomaren.

“Kam qenë në Vlorë edhe para se të bëhesha kryetar, në Vlorë isha edhe kur u bëra kryetar i PS, në Vlorë jam edhe tani kryeministër, do jem edhe kur të mos jem më, madje më shumë atëherë se do të kem më pak angazhime”, tha Kryeministri Rama, qëndrimi i të cilit nuk u kuptua nëse ishte pasojë e afeksionit të hershëm që ai ka për Vlorën apo edhe më shumë, për të qenë sërish drejtues i këtij  qarku në zgjedhje.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se ndërtimi i Tunelit të Llogarasë do të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm,  pa specifikuar muajin.

“Për tunelin është bërë gara e projektit, s’po vë data e muaj se për gjithçka mund të ndryshojë por në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, ne do fillojmë ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ama pjesa nga Uji i Ftohtë në Orikum përmes Radhimës do rindërtohet e do bëhet një zonë që ata që kanë bizneset e shtëpitë të kenë forcë tërheqëse më te madhe”, tha ai

Rama tha gjithashtu se qeveria e tij ka bërë shumë më shumë nga ç’mund të kishte bërë opozita nëse do të ishte në pushtet. Vendimet e fundit, sipas tij, për rritje pagash dhe taksë zero biznesit të vogël nuk kanë lidhje me zgjedhjet

“Atyre që thonë pse u kujtove tani, u them që unë jam kujtuar edhe kur zotrote flije gjumë, çdo ditë e çdo natë, por te rrisësh kontributet nga shteti për njerëzit, të heqësh komplet TVSH, tatimin e fitimit mbi një kategori sic është ajo e sipërmarrësve të vegjël nuk është fjalë goje dhe nuk bëhet se do ti ta bësh, por sepse do, dhe mund ta bësh kur janë krijuar kushtet për ta bërë”- tha Rama.

Kryeministri foli edhe për rritjen e pagave infermierëve dhe mjekëve

“Zgjedhjet ne i fitojmë si me këto si pa këto, kjo nuk diskutohet. Se përtej denglaxhinjve dhe atyre që kanë pakënaqësi, nuk ka qenë e lehtë për asnjë familje, të përballojë gjithë këtë stres, që nga nëntori kur ra tërmeti, populli është shumë i mençur. Populli do flasë prapë siç ka folur dhe do flasë drejt dhe do t’i japë zotit atë që është e zotit, Cezarit atë që i takon Cezarit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë