Kryeministri Edi Rama ka reaguar për vendimin e Presidentit Ilir Meta për të mos dekretuar Sandër Lleshin, për të zëvendësuar Fatmir Xhafajn në postin e Ministrit të Brendshëm.
Menjëherë pas njoftimit nga Presidenca, Rama i ka dërguar një mesazh në celular deputetëve të PS, duke i kërkuar të mos komentojnë vendimin e Kreut të Shtetit.
“Lutem asnjë lloj komenti askujt për vendimin e Presidentit!”, thotë Rama në SMS-në për grupin e tij parlamentar.
Kreu i qeverisë kujdeset që t’i kujtojë deputetëve socialistë se janë ata që qeverisin vendin dhe kështu do t’i dalin për zot detyrës së tyre.
“Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t’i dalim Zot njerëzve, vendit, Kushtetutës me maturi dhe vendosmëri”, thekson Rama.
Në fund ka edhe një fjali që të lë të kuptosh se ose “kërcënon” kreun e shtetit, ose mosdekretimi i Sandër Lleshit nga Meta mund të ketë qenë një lëvizje politike, e diktuar nga vullneti që mund të ekzistojë në aksin Presidencë-Kryeministri për të pasur një pakt edhe për emrin e kryetarit të ri të KLSH-së që mund të “ngecë” në Kuvend, aty ku mazhoranca e tij ka shumicën. “Politika është shah, mos e harroni”, - shkruan Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.