Blog

Morali, Drejtësia e Demokracia


Jean-Jacques Rousseau shkruante: "Ata që dëshirojnë të trajtojnë politikën dhe moralin veçmas, nuk do të kuptojnë kurrë asgjë nga asnjëra". 

Politika jo vetëm duhet, por edhe mund të pajtohet pikë së pari me imperativat e ndershmërisë edhe moralit.

Nëse kjo nuk ndodh, demokracia dhe drejtësia janë realitete imagjinare vetëm në kokat e atyre që flasin për to.

Kur ne pranojmë se politikanët nuk mund të jenë asgjë tjetër veçse të pandershëm, dhe si të tillë neve na mbetet vetëm të zgjidhim dilemën e gjetjes së të keqes më të vogël, duke e kërkuar ta shquajmë qartazi atë tek të njëjtët njerëz te pazëvendësueshëm, edhe ketë ta quajmë arritje demokratike apo mbrojtje të parimeve demokratike, jemi larg të qenit të ndershëm dhe më afër të qenit fanatikë.

Në vitin 1993 u arrestua lideri i opozitës Fatos Nano. Nëse do të ridëgjonim sot debatet e 27 viteve më parë esenca është e njëjtë, disa thonin që "Nano po dënohej politikisht nga Berisha", ndërsa pjesa tjetër thonin "se kishte shkelur ligjin".

Qëndrimet edhe gjykimet fanatike të opinionit publik të asaj kohe të verbuar nga bindja e të drejtës absolute në të gjitha rastet në mbrojtje të parimeve, nuk ofruan paanshmëri. Fanatikët e kauzave të tyre janë të papërkulur dhe inercial, rula me avull të gatshëm të rrafshojë gjithçka në rrugën e tyre.

Ishin pikërisht qëndrimet fanatike që nuk na lejuan të kuptonim asnjëherë se nga cila anë qëndronte pandershmëria politike nga Nano apo Berisha, apo të dy ishin të pandershëm? Prandaj të dy të patrazuar u rehabilituan edhe me votat e publikut u ricikluan në pushtet, Nano në 1997 dhe Berisha në 2005.

Pra, ku qëndronte opinioni publik? Nga anonte qëndrimi ynë i ndershëm?

Ndonjë socialist që lexon këto rreshta thotë “prit një minutë, Berisha është kriminel"; dhe do të rreshtojë dëmet e tij. Ndërsa ndonjë demokrat thotë "si mund të krahasohen?! Nano ishte një njeri plot me vese edhe super i korruptuar apo hajdut". 

Në te dy rastet mundohemi të masim e t’i dënojmë në bazë të dëmit, pa dënuar së pari pikën ku ato bashkoheshin: "pandershmërinë e tyre të përsëritur politike".

Ata riciklohen sepse ne shpesh ngatërrojmë parimet morale me sentimentin, edhe shumë qëndrime të debatuesve më të angazhuar publik i gjej fatkeqësisht sentimentale, më shumë sesa parimore edhe morale.

Prsh, unë nuk jam juriste, por më bën sens arsyetimi i juristëve që masa e sigurisë ndaj deputetit pa autorizimin e Kuvendit është në shkelje të nenit 73 të Kushtetutës.

Fakti që kjo ndodhi, ka hedhur një hije dyshimi të fortë mbi drejtësinë e re.

Por kjo nuk më pengon të vërej një paradoks tjetër.

Në vitin 2012 kur ishte në pushtet lideri i opozitës kërkonte heqjen e kësaj mbrojtjeje, duke argumentuar me të drejtë se deputetët nuk duhet të kishin imunitet dhe të ishin si gjithë qytetarët të barabartë para ligjit edhe drejtësisë, që duhet pranuar që asaj kohe nuk ishte më pak politike nga kjo e sotmja.

Ndërsa sot ai kishte një mundësi për të treguar se ishte i vërtetë në qëndrimin e tij argumenti politik për shkeljen e të drejtave të tij po ngrihet mbi shkeljen e po asaj të drejte kushtetuese që ai mendonte edhe besonte që  deputetet s'duhet ta kishin.

Në fakt, kur kritika  edhe dëshira për të ekspozuar dhe publikuar një problem, janë shumë më të mëdha se  gatishmëria për ta venë atë në jetë  qoftë edhe në një rast të vetëm është  forma më e zakonshme e pandershmërisë në politikë.

Edhe në këtë formë pandershmërie janë të zhytur gjithë liderët tanë pa përjashtim.

Unë si shumë nga ju mendoj që Rama nuk duhet të jetë më asnjë minutë në pushtet edhe madje as në krye të Partisë Socialiste, pikë së pari për mungesë të moralit politik pastaj të dëmeve të shkaktuara gjatë ushtrimit të pushtetit.

Por a mund të presim që SPAK-u  të rrezojë Ramën, apo modelin e tij që mishërohet tek shumë të tjerë? Jo. 

Kur shoqëria shfaqet kaq sentimentalisht e ndjeshme ndaj mosrespektimit të ligjeve, por vazhdon të anashkalojë dhe të mos vlerësojë mungesën e moralit edhe ndershmërisë si themeli bazë i të drejtës shoqërore, i ndershmi, siç ka ndodhur, do të përkulet para ryshfetarit. Kështu gjyqtari kurrë më nuk mundet, bëhet ortaku i zuzarit.

E pra, pa u distancuar nga modelet e pandershme politike e shoqërore pa artikuluar qartazi nevojën për modele të reja nuk ka SPAK e ligj që do të na garantojë drejtësinë aq më shumë demokracinë.


Copyright © Gazeta “Si”