Lajme

Montohet linja e re në Bovillë, fundjava me kufizime uji për Tiranën

Bashkia e Tiranës njofton se zona të caktuara të kryeqytetit do të kenë ndërprerje të furnizimit me ujë gjatë fundjavës që po vjen, për shkak të punimeve që po bëhen në vendosjen në punë të linjës së re të Bovillës.

“Njoftojmë qytetarët e Tiranës se gjatë ditës së shtunë është parashikuar kryerja e punimeve për lidhjen e linjës me ujë-mbledhësin dhe impiantin e Bovillës. Për këtë arsye kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë baborëve për kufizimet e furnizimit me ujë që do të ndodhin gjatë kësaj fundjave”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.

Ujësjellës-Kanalizime Tiranë thotë se do të angazhojë prej orëve të para të mëngjesit të gjithë stafin e ekspertëve, në mënyrë që të përfundojë sa më parë lidhjen e linjës së re, ndërsa garantohet se janë marrë masat për të siguruar me furnizim të qëndrueshëm me ujë institucionet të rëndësisë së veçantë, si spitalet, urgjencat mjekësore dhe burgjet.

Bashkia e Tiranës thotë se linja e re e transmetimit që lidh ujëmbledhësin e Bovillës me impiantin e trajtimit të ujit në Bovillë do të transmetojë 1800 litra ujë në sekondë, pra dyfishon e sasinë e ujit që shkon për trajtim në impiantin e Bovillës. Me këtë investim, Bashkia shpreson që të reduktojë ndjeshëm oraret e kufizimit të ujit në të gjithë kryeqytetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë