Motosport

Montezemolo: Ditë të vështira për Ferrarin, ka probleme të brendshme

Nga fitorja e Charlse Leclerc në Australi deri në dështimin në Hungari, Ferrari ka shfaqur probleme të shumta dhe makina e këtij sezoni është dukshëm më e ngadaltë se disa prej rivalëve,. Pikërisht për këtë çështje ka folur edhe ish presidenti i Ferrarit në kohën kur skuadra fitonte tituj kampionë me Michael Schumacher, Luca di Montezemolo.

“Nëse makina nuk do të përmirësohet ndjeshëm e shoh akoma më të keq edhe sezonin e ardhshëm. Organizimi duhet të përqendrohet te rregullat e reja, që janë revolucionare dhe duhet një ekip shumë i fortë për t’u përballur me problematikat. Mendoj se drejtuesit duhet të kenë kurajën të pranojnë dështimin për këtë sezon dhe të nisin punën për sezonin e ri. Është koha për zgjedhje kurajoze, rezultatet e të cilave do të shihen pas disa kohësh”, u shpreh Montezemolo.

Ish presidenti i Ferrarit u shpreh gjithashtu se Binotto është lënë i vetëm dhe se brenda skuadrës ka disa fraksione, ndërsa shtoi se shumë herë kanë gabuar për mungesë të eksperiencës ose për ankthin e të rikthyerit sa më shpejt te suksesi.

“Ka shumë fraksione brenda skuadrës dhe Binotto më duket se është lënë i vetëm për të përballuar situatën e vështirë. Shumë herë skuadra ka gabuar vetëm nga mungesa e eksperiencës, apo nga dëshira për t’u rikthyer sa më shpejt te suksesi. Nuk mund të mendosh ta bësh gjithçka vetë, sidomos kur e di që ke disa pika të dobëta dhe e shoh akoma më të vështirë garën e Silvertone, ku shpejtësia vlen shumë”, deklaroi Montezemolo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë