Motosport

Montekarlo hap dyert për publikun, tribunë speciale për fansat e Leklerk

Më shumë se një muaj para Çmimit të Madh të Montekarlos, Principata ka bërë me dije se gara do të jetë e hapur për publikun. Drejtuesit e këtij vendi i shohin me optimizëm muajt e ardhshëm dhe një sinjal i qartë është konfirmimi i garës së Formula 1. Ky është lajm, nëse kemi parasysh anulimin e garës së 2020-ës për shkak të Covidit.

Një tjetër hap përpara është rikthimi, edhe pse në numër të reduktuar, i spektatorëve. Organizatorët parashikojnë një numër prej gati 40% të kapacitetit maksimal të spektatorëve. Nuk është një shifër shumë e lartë, por e rëndësishme, që e bën pilotin e vetëm të shtëpisë, Sharl Leklerk, të shijojë një mbështetje të veçantë.

Tribuna ku do mblidhen fansat e Leklerk. Gazeta Si, 11 prill 2021

Piloti i Ferrarit ka menduar që t’i mbledhë fansat e tij në një tribunë për të ndjekur nga afër garën. Në janar të 2020-ës, para se të shpërthente pandemia, ai ra dakord me organizatorët e Çmimit të Madh që fansat e tij të mblidheshin në tribunën K. Dhe tani ky projekt do të realizohet. Bëhet fjalë për një tribunë, që ka një pamje mjaft të mirë të pistës, por mund të jenë aty vetëm 500 tifozë, në mënyrë që të sigurohet distancimi social.

Rregullat do të jena të forta për të gjitha tribunat dhe organizatorët do të ndjekin modelin e “shahut”, me një vend bosh dhe tjetrin të zënë nga një tifoz. Shitja e biletave ka nisur në sitin e cirkuitit dhe kuptohet që më të interesuarit janë ata të “tribunës Leklerk”. Kjo edhe për faktin se kush prenoton tribunën K, ka në dispozicion vendin për dy ditë, përveç kapeles dhe një T-shirt-i të firmosur nga francezi, një çante Ferrari dhe programin zyrtar të GP-së.

Në momentin e blerjes së biletës, që kushton rreth 800 euro, 500 tifozët do të marrin në cecular një link, me të cilin mund të lidhen për të folur në Zoom me beniaminin e tyre. Pas “detit portokalli” të mbështetësve të Vershtapen, është gati “vala e kuqe” në Montekarlo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë