Gazeta Si – Nuk mund të jetë kurrë një garë si të tjerat Çmimi i Madh i Montekarlos për Sharl Leklerk. Për të ka një domethënie speciale, pasi është rritur në rrugët e Principatës, duke ëndërruar që një ditë të ishte në timonin e një makine të F.1.
Ëndërronte të garonte në ato rrugë të ngushta e të vështira. Para garës që zhvillohet në fundjavë, piloti i Ferrarit ka folur për emocionet që ndjen sa herë që zbret në pistën e shtëpisë.
"Pista e Montekarlos, në një fjalë të vetme, do të thotë adrenalinë. Ky është elementi thelbësor. Rruga është e ngushtë dhe për të qenë i shpejtë duhet të besosh te ndjesitë e tua. Kur drejton një makinë të Formula 1 nuk ke kohë as të marrësh frymë, edhe në kualifikuese të pushton adrenalina", - thotë Leklerk në një komunikatë të shpërndarë nga Ferrari.

"Besoj se asnjë cirkuit nuk t’i transmeton këto ndjesi dhe e di që është kështu për të gjithë pilotët, për mua në veçanti, duke qenë se është pista ku jam rritur. I gjithë qyteti është i mbushur me vende unike.
Pasionin për automobilizmin e kam nga babai dhe nga fakti që kam lindur dhe jam rritur në Montekarlo. Isha i vogël, kur nga ballkoni i shtëpisë shikoja makinat që fluturonin. Falë babait tim njoha mitin Airton Sena, pashë se çfarë ishte i aftë të bënte në Monako dhe kështu fillova të ëndërroj se një ditë mund të isha protagonist”, - ka shtuar më tej francezi.
Leklerk shpreson që gara e kësaj fundjave do të jetë pika e kthesës për të dhe Ferrarin, që deri tani nuk u është përgjigjur pritshmërive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.