Politike

Mocion për ndryshime në parti, Rama: Shtëpia e socialistëve është top

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi rrëzimin e një mocioni me 10 pika të propozuar nga disa emra të vjetër të Partisë Socialiste, ku ndër të tjera kërkohet ndarja e mandatit të Kryeministrit nga kryetari i partisë, vendime kolegjiale e deri tek legalizimi i fraksioneve dhe oponencës brenda partisë.

Rama foli për këtë nismë gjatë prezantimit të modeleve për shtëpitë individuale që do të ndërtohen për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Jam këtu për ata që kanë humbur shtëpitë. Socialistët e kanë shtëpinë top. Kështu që, kur e ke shtëpinë top të tjerat janë luks, të gjitha diskutimet e debatet. Nuk kemi probleme me shtëpinë e socialistëve e kemi top, për të gjithë padyshim”, deklaroi Rama.

Tetë anëtarë të Partisë Socialiste, mes tyre emra si Arta Dade, Luan Zhegu, Maqo Lakrori e Irena Beqiraj prezantuan ditën e enjte mocionin me dhjetë pika për të realizuar ndryshimet në programin qeverisës dhe statutin e partisë.

Në këtë dokument të siguruar nga Gazeta “Si” propozohen 10 pika që synojnë sipas tyre reformimin e Partisë Socialiste. Objektivat e këtij mocioni sipas tetë firmëtarëve janë tre dhe që synojnë një “Parti me liri fjale, votim të ndershëm, vendimmarrje dhe drejtim kolegjial; Parti me integritet, e pakapshme nga korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe Parti që realizon qeverisje të majtë demokratike, që mbron dhe shërben interesat themelore të shtetasve shqiptarë, kudo që jetojnë dhe punojnë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë