Lajme

Mjeku: Raste me Covid-19 që në janar! Shqipëria e ka kaluar pikun para karantinës

Mjekët shqiptarë mund të jenë përballur me raste Covid-19 shumë javë para datës 8 mars, kur u konfirmua zyrtarisht rasti i parë me virusin. Pretendimi mbërrin nga mjeku Gëzim Xhepa. Xhepa e ka hedhur edhe më herët në publik tezën se Shqipëria e ka kaluar pikun e epidemisë para vendosjes së gjendjes së karantinës. Tani, ai thotë se ka edhe prova për këtë.

Ai publikon imazhet e mushkërive të pacientëve, që sipas asaj që pretendon mjeku janë shtruar në spital në datat 15-20 janar.

“M’u ofruan imazhe të pakundërshtueshme të prezencës së COVID-19 në datat 15-20 janar, në disa raste në Infektiv dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, kur duam s’duam ne, për komunikimet e ngushta dhe lëvizjet e shumta njerëzore me Italinë e Veriut, Shqipëria mund të konsiderohet lagje e Milanos!”, shkruan mjeku Xhepa.

https://www.facebook.com/gezim.xhepa/posts/1312668118927518

Imazhet e publikuara doktor Xhepa thotë se janë të siguruara nga Dr. Renato Osmënaj, imazherist që identifikoi i pari në vendin tonë identitetin imazherik pulmonar të Covid-19 dhe pasojat e tij tek mushkëritë e njeriut.

Pas publikimit të këtyre imazheve, mjeku Xhepa kërkon nga Komiteti Teknik që këto fakte që ai përcjell t’i marrë seriozisht dhe të përcaktojë një strategji të shpejtë zhbllokuese për kalimin nga izolimi në distancim dhe rikthimit të normalitetit brenda një edukate të distancimit fizik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë