Biznes

Mjekësia e ‘luksit’ në Tiranë. Kush është serbo-maqedonasja që e drejton

Sabina Veizaj - E ftohtë, e vendosur, e qartë, me autoritet dhe tepër serioze; ndërsa përcjell klientin e saj nga Beogradi, më takon tek e pres në zyrën e saj ku mbizotëron ngjyra e bardhë.

Ajo mban të veshur një fustan të zi elegant, me mëngë të shkurtra duke lënë shpatullat jashtë. Nga këpucët e zeza i dalin çorapet me rruaza të bardha. Pasi kemi shtrënguar duart, ulet në vendin e saj përballë meje, ku na ndan tavolina e punës dhe hyn drejt e në temë për të më folur rreth sipërmarrjes së saj. Marr kohë disa sekonda sa të ndez regjistruesin.

Felicita e ka të shkruar në ballë që është një zonjë sipërmarrëse 24-karatëshe.

Felicita Gjuladin

Ajo nuk ka kohë për të humbur. Ka shëtitur gjithë botën dhe tani ka vendosur të ndalet në Tiranë.

Felicita Gjuladin është një zonjë 50-vjeçare e lindur në Ohër dhe e rritur në Beograd; me nënë serbe dhe baba maqedonas. Prej një viti e gjysmë ka blerë Franchaising e “La Clinique De Paris International”  me një vlerë të konsiderueshme dhe është CEO e saj.

“La Cliniques De Paris Tirana” është klinika e parë dhe e vetme për gjithë Ballkanin në fushën e mjekësisë rigjeneruese përmes qelizave staminale.

Ajo beson se të moshuarit është sëmundje dhe misioni i saj është ta luftojë atë për të përftuar një jetë më të gjatë dhe shëndetplotë, me energji rinore për të kryer çdo lloj aktiviteti si në rini.

Proces pune

“La Clinique de Paris Tirana” si 30 simotrat e saj nëpër botë, ofron terapitë më të fundit për ripërtëritje të organizmit. E bazuar në principin e mjekësisë parandaluese, “La Clinique de Paris International” ka 30 vite që është çelur prej doktorit francez 74-vjeçar Claude Chauchard.

Dr. Claude Chauchard & Felicita Gjuladin

“Për Dr Chauchard kam më shumë se 11 vite që punoj. Si pjesë e "Clinique de Paris" kam marrë pjesë në gjithë konferencat, kam parë gjithë spitalet në botë. Dr Chauchard është doktor endokrinolog, mjek sportiv dhe biolog. Profesor i universitetit Montpelie në Francë. Ai më shumë se çdo gjë tjetër ka preferuar qasjen ndaj mjekësisë rigjeneruese. Pjesa e Azisë ka qenë përherë më e hapur ndaj kësaj qasje. Në këtë mjekësi përdoren qelizat staminale dhe Azia i ka përdorur këto qeliza në shekullin e tretë. Kanë marrë gjak nga aorta e deles, dhe i kanë injektuar në venë direkt me pupla të shpendëve, prej aty kanë marrë gjak me vakum. Kjo për të rigjeneruar organizmin dhe për të marrë fuqi.”- më tregon Felicita kur herë pas here detyrohet të ndërpresë bisedën për shkak të shkëmbimit të mesazheve të punës apo telefonatave për të njëjtin qëllim. Duke vazhduar të më shpjegojë: “Të gjithë thonë se si duken kinezët, japonezët me fytyra si të ngrira; kanë bërë ndërhyrje plastike, por jo. Aziatikët kurohen përmes mjekësisë rigjeneruese. Në Europë ka disa laboratorë. Në Gjermani punojnë me qelizat kancerogjene. Në këtë fushë eksperimentet vazhdojnë.”

Por si funksionon “La Clinique de Paris Tirana” në drejtim të klientëve

Felicita më thotë se në klinikë nuk vijnë njerëz të sëmurë. Aty paraqiten njerëz, të cilët duan të kenë hartën e organizmit të tyre për të njohur çdo qelizë dhe organ të tij. Për këtë, personat i nënshtrohen analizave më të detajuara dhe sofistikuara.

“Analizat i dërgojmë në Paris në laboratorin GMP. Prej 25 vjetësh të gjitha analizat e degëve të "Clinique de Pari"s bëhen aty dhe prandaj na i bëjnë me çmime preferenciale.

Ne bëjmë skanimin e trupit përmes të gjitha qelizave të organizmit. Kuptojmë kohën e plakjes dhe parandalojmë plakjen. Ne i detyrojmë çdo vit klientët tanë të rregullt ti nënshtrohen analizave. Pas përgjigjes së analizave në periudhën e 1 muaji krijojmë librin personal të klientit dhe përgatisim planin e terapisë personale 3 mujore.”

Proces pune

Më pas, vjen një doktor nga Beogradi, që punon si i jashtëm në “La Clinique de Paris Tirana”, i cili ka mbaruar mjekësi regjeneruese në Harvard. Ai bisedon dy orë me çdo klient për tu shpjeguar librin. Situata mjekësore e klientit trajtohet me tableta, suplemente, dieta dhe terapi intravenoze. “Ne e kemi të gjithë tablonë e trupit të njeriut në libër, alergjirat, intolerancat, etj. Kjo quhet Intellectual medicine, functional medicine, personal medicine. Ne kemi qëllim që i gjithë sistemi të jetë funksional. Nuk është vetëm një organ që nuk funksionon mirë. Çdo organ është i lidhur me të tjerët. Prandaj kur ke një shqetësim, duhet kuptuar se çfarë e shkakton ”

“Për të parandaluar plakjen, thotë Felicita, duhet që të bësh zëvendësimin e hormonëve. Si gruaja në menopauzë dhe burri në andropauzë humbin pjesën muskulore, u shkaktohet depresion, ankth, pagjumësi, libido i ulët, iu humb interesi për gjithçka, etj. Gruaja ka probleme me ciklin. Dhe në këtë gjendje bëjnë një jetë bazike dhe përfundojnë e merren vetëm me fëmijët e fëmijëve. Ky është Ballkani.”- prandaj sipas Felicitës ka nevojë për të ndryshuar mentalitetin dhe këndvështrimin për jetën. Ajo më rrëfen se klientë të klinikës në Paris është një çift, bashkëshorti 105 vjeç menaxher i një kompanie të madhe dhe e shoqja 95 vjeç. Ai çift vazhdon të ketë ende jetë seksuale dhe aktivitet normal të përditshëm; punë, sport, etj dhe nuk vuajnë nga sëmundje si bashkëmoshatarët e tyre. Kjo është si rezultat, më shpjegon Felicita i dëshirës për të qenë mirë, për të patur një jetë cilësore. “Qëllimi i mjekësisë regjeneruese është ta kthejmë trupin mbrapsht në moshë.”-sqaron ajo. Vetë Felicita ka 12 vjetë në terapi hormonale, ushqimore. Gjithashtu edhe e bija 22 vjeç.

Biznesi…

Një franchaising në botë e “La Clinique de Paris” kushton 2-3 mln euro. Klinika kryesore është e listuar në bursë dhe një aksion i saj kushton 1200 euro. Pjesa aziatike u është shitur 60% kinezëve.

Çmimi i analizave për një klient i cili pas një muaj do të ketë në dorë librin personal të organizmit të tij, një bisedë dy orëshe me doktorin nga Beogradi dhe planin tremujor të treapisë (pa përfshirë terapinë në vetvete) kushton 3 mijë euro. Nëse një klient vendos të jetë klient i qëndrueshëm i klinikës që të kryejë analizat çdo një vit dhe terapitë e nevojshme për organizmin e tij, i duhet të shpenzojë 15 mijë euro në vit.

 “Në çdo vend në botë ku jemi ne si “La Cinique de Paris” vetëm 5 % e popullatës vjen. E kemi të qartë që nuk mund ta përballojnë të gjithë. Një zonjë shqiptare që jeton në Holliwood dhe më takoi do ditë më parë këtu në Tiranë, më tha se në Amerikë sistemi shëndetësor është shumë i mirë, por jo për të gjithë. Nuk e përballojnë të gjithë. Harta shëndetësore e botës ndryshon, Njerëzit kanë nisur të kërkojnë për shërbime të njëjta me çmime më të ulta. Ne jemi 50% më lirë se Parisi për shërbime të njëjta. Unë i njoh shumë mirë të gjitha vendet e Ballkanit dhe i flas të gjitha gjuhët e rajonit. Ne kemi bërë kërkime gati 10 vjet përpara se të vendosnim të vinim këtu. Dhe jam e bindur që klinika do të jetë e suksesshme”, thotë Felicita.

Ajo është menaxhere e të 30 klinikave prej 11 vjetësh. Edhe programin e Shqipërisë për Ballkanin e ka bërë për t’iu përshtatur njerëzve që jetojnë në rajon. “Shëndeti, bukuria, kuptohet ndryshe në Ballkan, ndryshe në Europë; Gjermani, Zvicër. Unë jam drejtoreshë edhe e klinikës që kemi në Zvicër. Në Zvicër është vetëm për kinezët, klinikë e cila është blerë 50 mln euro nga kinezi që ka 60% të "Clinique të Paris Azia". Shkoj gjithmonë në Paris. Ilaçet që rekomandojmë, pacienti i merr në Paris, Amerikë, Hong Kong. Ne bashkëpunojmë me kompani farmaceutike që prodhojnë medikamente për mjekësi rigjeneruese”, më shpjegon ajo.

Fillesat e rrugëtimit…

Felicita është shkolluar në Londër dhe Liverpul. Është diplomuar për menaxhim të klinikave VIP që punojnë në fushën e mjekësisë rigjeneruese.

Tek bëhem kurioze se si u njoh me “La Clinique de Paris” dhe cila ishte puna e saj e parë, më rrëfen se ideja i shkrepi në kokë duke kundruar zonjat e pasura në rreshtat e parë të ngjarjeve të pasarelave të Max Marës, kur Felicita punonte prapa kuintave në Turqi.

Ajo ëndërronte të merrej me këtë shtresë njerëzish, që ti shëronte nga plakja që ata të shijonin jetën si përherë. Dhe vendosi ti shkruante Dr Chauchardit i cili e mirëpriti në Paris.

“Edhe kur shkova në Paris, nuk shkova me duar në xhepa. I shpura Dr një kliente nga Maqedonia.Ishte qëllimi dhe ambicia ime të isha e suksesshme në këtë fushë. Dhe ëndrra ime ishte të kisha klinikën time, që ia thashë që në krye të  herës Dr Chauchardit. Ai nuk mu përgjigj, por unë vendosa që ti paguaja çdo muaj një taksë nga rroga ime që e konsideroja si kursim për të blerë degën time të klinikës në të ardhmen. Dhe kështu ndodhi; me shumë punë, me taksat e paguara për më shumë se 11 vite dhe me një shumë të konsiderueshme të hollash  , unë sot kam “La Clinique de Paris Tirana”.

Pëpros se punon për “La Clinique de Paris international” në Paris për më shumë se 11 vite, Felicita ka punuar dhe vazhon ende të punojë në të 30 klinikat që janë nëpër botë. Madje është drejtoreshë edhe e klinikës së Zvicrës. Ajo është përherë në lëvizje.

“Edhe Dr Chuchard një herë në muaj e gjysmë është në Paris dhe pjesën tjetër në Dubai, Katar, Azi. Ai është dr i familjes mbretërore të Monakos, Kemi pasur fushata me Vandamin, Maradonën e shumë personazhe të tjerë publik”

"Klinika është klinikë shkencore dhe është zëri i fundit e në këtë fushë shkencëtarët vazhdojnë të kërkojnë ende", shpjegon Felicita, duke më treguar se edhe ajo vazhdon trajnohet në mënyrë të vazhdueshme sëbashku me punonjëset e saj. Vetëm trajnimi i  infermiereve që zgjat 6 muaj ka kushtuar 10 mijë euro. Klinika funksionon edhe si daily-hospital për detox, dobësim.

Ajo thotë se nuk do të mbijetonte dot pa terapi hormonale. “Zgjohem në 5 të flas me Hong Kongun, bëj dy orë palestër çdo ditë, kam familje; burrë, fëmijë, shtëpi. Nuk do kisha energji për të gjitha këto.”

Por gjatë punës së saj jo shumë të gjatë në Shqipëri ka hasur probleme me punonjëset infermiere, të cilat në mentalitet sipas Felicitës kanë ekzigjencën e të kërkuarit dhe jo të të dhënit. “Kam vënë re mungesë profesionalizmi, mungesë korrektësie, përkushtimi, dembelizëm.

Unë nuk mendoj që shqiptarët janë dembelë, se kur shkojnë jashtë punojnë 2-3 punë, shkollohen, e bëjnë ditën natë. Mendos se edhe Shqipëria ofron mundësi për ata që kanë ambicie dhe duan të punojnë.

Duhet të kuptojnë që në Shqipëri ka biznese ambicioze, investohet, ka lekë, ka punë, jetohet mirë, por duhen njerëz të aftë”, mendon ajo.

Por në fakt nuk mendon kështu djali i Felicitës. Ai është 27 vjeç dhe ka studiuar jashtë komunikim ndërkombëtar. “Djali im me gjithë ankesat që bën, është këtu. Ankohet nuk ka rregull, nuk mund të parkoj makinën. Djali nuk përshtatet dot. Por unë e kam sjellë. I kam thënë më duhesh, Dua njerëz që e dinë punën. Nuk kam kohë për të humbur.”- flet Felicita me pak nervozizëm të përzier me autoritet, e mua më ngjan sikur ka të birin përpara që po ia komunikon kushtet nga e para.  

Dita e Felicitës është e gjatë. Ajo zgjohet në 5 të mëngjesit, flet me Hong Kong, (janë 6 orë përpara), flet me Dr Chuchard për të gjithë klientët, për punën e ditës, shkëmben recetat, propozimet. Bën 2 orë ushtrime dhe në 10 është në punë. Ajo qëndron në klinikë deri në 6, 7, 8 e kur është Doktori “kemi mbetur edhe deri në 11 të natës. Jetoj me njerëzit dhe eproblemet shëndetësore  të njerëzve.”-thotë ajo. Kur e pyes nëse me gjithë këtë ngarkesë arri të ketë një jetë sociale, më thotë se ka, por të kufizuar.  

Felicita Gjuladin & Ema Andrea

“Kam krijuar njohje; Ema Andrea, Valbona Selimllari e të tjerë, që nëqoftëse dua të pi kafe, dal. Gjithmonë kur më mbetet kohë. Kam njohur edhe njerëz të thjeshtë më parë se të vija këtu. Por kam pak kohë. Jam përkushtuar për momentin punës dhe familjes, ky është prioritet.”

Bashkëshorti i Felicitës është shqiptar. Familja e tij është larguar herët nga Tirana për në Maqedoni për shkak të shpronësimeve të asaj kohe. Felicita më rrëfen se gjuhën shqipe e ka mësuar prej vjehrrës. Felicita di më shumë se 7 gjuhë të huaja, po ashtu dhe fëmijët e saj.  

Projeksionet e të ardhmes

Ajo dëshiron që klinikën në Shqipëri ta rrisë. Për këtë ajo dëshiron të bashkëpunojë me spitale që besojnë në mjekësinë rigjeneruese apo të ndërtojë një të tillë me një partner të mundshëm biznesi. Mbi të gjitha ajo vlerëson dhe e sheh sin pozitive zhvillimin e turizmit medicinal. Ajo më rrëfen se po bashkëpunon me agjenci turistike në këtë drejtim. Një nga ëndërrat e saj është të jetë në një rezort turistik luksi I cili të adaptojë SPA-në medicinale.

“Kam dëshirë që “La Clinique de Paris të bëhet partnere me shtete të tjera në Ballkan, kemi të drejtë ta japim franchaising. Kam nisur të bashkëpunoj me agjencitë që operojnë me medical tourism. Sepse natyra e Shqipërisë është e shkëlqyer.”-thotë ajo. Gjithashtu pon mendon për një laborator të ruajtjes së qelizave staminale.

“Një laborator i tillë kushton 2-5 mln euro, por me 2 mln bëhet një version i vogël laboratori për ruajtjen e qelizave staminale. Kjo varet edhe nga shteti. Që t'i hapë rrugën mjekësisë regjeneruese. I japim ligjin, I ofrojmë ndihmën. Unë e kam takuar kreyministrin, ai e ka takuar edhe Dr Chauchardin. Ai është në dijeni për këtë, por mendimin e shtetit për këtë gjjë nuk e di”, thotë Felicita duke shpresuar se në të ardhmen do të ndodhin gjëra të mira. Biseda është drejt fundit dhe telefoni bie… Një tjerët klient nga Beogradi ka mbërritur… Por më herët gjatë bisedës Felicita më shpjegoi se gjatë verë në klinikën e saj kishte edhe shumë shqiptarë që jetojnë jashtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë