Futboll

Miti Prosineçki, i vetmi që shënoi me dy skuadra të ndryshme në Botëror

"Nëse nuk do të ishte “spritzeri” (verë e bardhë, biter dhe ujë mineral), do të kisha qenë futbollisti më i mirë në botë”. Apo tjetra: “Të pijë duhan sigurisht që nuk është mirë për një sportist, e di edhe unë, por në fund të fundit, është vesi i vetëm që kam. Pastaj, askush nuk jeton më shumë se 100 vjet…" Batuta të të madhit Robert Prosineçki, që ka mbushur 50 vjeç.

Emri i tij mund të thotë pak për rininë e sotme, por mes fundit të viteve ’80 dhe për një pjesë të mirë të viteve ’90, ai ishte një nga futbollistët më të fortë në botë. I paqëndrueshëm dhe i kushtëzuar nga ndonjë ves (sidomos duhani, dy paketa në ditë), por sigurisht njeriu simbol i gjeneratës së artë të futbollit sllav. Robert Prisineçki është i vetmi futbollist në botë që ka shënuar në Botëror me dy skuadra të ndryshme: në Itali 1990 shënoi ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe me fanellën e Jugosllavisë, ndërsa në Francë 1998 shënoi kundër Xhamajkës dhe Holandës me fanellën e Kroacisë, që zuri vend të tretë.

Prosineçki feston një gol me Boban dhe Jarni, me fanellën e Kroacisë

Ai dhe Boban – I lindur më 12 janar 1969, në Gjermani, me baba kroat dhe nënë serbe, Robert Prosineçki nisi ta tregonte talentin e tij me Dinamon e Zagrebit. I shkëlqyer në mesfushë, bashkë me Zvonimir Boban. Prosineçki organizon dhe Boban krijon, të dy bëjnë mrekulli në pjesën përpara të fushës. Papritur lind një lloj dualizmi teknik pa sens. Zihet shpesh me trajnerin Blazeviç dhe në verën e 1987 Roberti kalon te Cërvena Zvezda në Beograd. Kjo nuk ishte një zgjedhje shumë popullore në atë kohë, kur në Ballkan po frynte era e një krize politike, që më pas solli një luftë të tmerrshme civile.

Kampion bote — Para se të ndaheshin, Roberti dhe Zvone, siç i thërrisnin, shkruajtën një nga faqet më të ndritura të historisë së futbollit të ish-Jugosllavisë. Në Kili, në vitin 1987, u shpallën kampionë bote për 20-vjeçarët. Prosineçki shënoi golin e fitores në çerekfinale kundër Brazilit dhe fitoi “Topin e artë” të turneut. Boban, me tre gola në atë kompeticion, vuri firmën e tij në finalen e fituar me panallti kundër Gjermanisë. Jugosllavia e asaj kohe kishte në sulm dyshen Shuker-Mijatoviç, ndërkohë që ia kishte lejuar vetes të linte në shtëpi talente si Sinisha Mihajloviç, Vladimir Jugoviç dhe Alen Boksiç.

Prosineçki feston fitoren e Kupës së Kampionëve me fanellën e Cërvena Zvezdës

Gjeneratë fenomenësh — Aventura e Prosineçkit me Cërvena Zvezdën zgjati 4 vjet, ku ai fitoi 3 tituj kampion dhe mbi të gjitha Kupën e Kampionëve në vitin 1991. Finalja me Olimpikun e Marsejës u vendos nga penalltitë dhe ishte pikërisht Prosineçki i pari për të tijtë që u prezantua te pika e bardhë dhe shënoi. Më pas shënuan edhe Biniç, Belodediçi, Mihajloviç dhe Pançev. Vendimtar gabimi i francezit Amoros. Një skuadër spektakolare ajo e Cërvena Zvezdës, e aftë për të nxjerrë jashtë Bajernin e Mynihut në gjysmëfinale: një fitore historike 2-1 në Gjermani, me gola të Pançev dhe Saviçeviç. Barazim 2-2 në ndeshjen e kthimit, me golin e zakonshëm nga goditja e dënimit të Mihajloviç dhe një autogol të Augentaler. Jugosllavia U-21 e asaj kohe ishte vërtet e jashtëzakonshme, me lojtarë si Mihajloviç, Jarni, Prosineçki, Boban, Saviçeviç, Shuker, Mijatoviç etj. Ishte vërtet koha e "Brazilit të Europës", siç u mbiquajt.

Prosineçki në dyluftim me Maradonën, kur luante me Jugosllavinë

Përsëri Balzeviç — I saktë, i shpejtë, driblim prej amerikano-jugori, fizik i fortë, gjuajtje nga distanca dhe teknikë e rafinuar në goditjet standarde: ky ishte Robert Prosineçki. Jo rastësisht, kur ishte 22 vjeç, u ble nga Real Madridi dhe më pas veshi edhe fanellën e Barcelonës. Në "Itali 90", Jugosllavia u eliminua në çerekfinale me penallti nga Argjentina e Maradonës. Në 22-she ishte edhe Prosineçki i vogël, që kishte nderin të luante pranë fenomenit Dragan Stojkoviç, i cili në fazën e 1/8-ve kishte nxjerrë jashtë Spanjën me një dygolësh prej marsiani. Prosineçki do të kthehej në një Botëror me fanellën e Kroacisë, në vitin 1998, kur trajner ishte Blazeviç. Po, pikërisht ai që u bë shkak i largimit nga Zagrebi. Roberti shënoi në ndeshjen e parë ndaj Xhamajkës dhe në ndeshjen për vendin e tretë ndaj Holandës. Në gjysmëfinale, ndaj Francës (2-1), u fut në fushë vetëm një minutë para fundit të ndeshjes dhe në atë kohë pati shumë polemika për zgjedhjen e Blazeviç. "Mos më pyesni më, - tha trajneri në vazhdim, - jam i pari që jam penduar për atë zgjedhje". Blazeviç u tregua i ndershëm, por raporti mes dy shenjtorëve të futbollit kroat u mbyll aty.

Robert Prosineçki sot

Më 9 dhjetor të 2010-ës, Robert Prosineçki u bë trajner i Cërvena Zvezdës, i pari kroat që drejtonte një skuadër serbe pas luftës civile. Tani është trajner i Bosnjë Hercegovinës dhe do të sfidojë Italinë në kualifikueset e Euro 2020. Si Roberto Mançini, edhe ai një artist i lindur i lojës më të bukur dhe më të dashur në botë.
Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë