Kombetarja

Misioni i Maran me Shqipërinë: Dua një skuadër agresive dhe ëndërroj Botërorin!

Gazeta Si – Rolando Maran i ka idetë e qarta se si mund ta drejtojë kombëtaren shqiptare pas përfundimit të kontratës së brazilianit Sylvinho.

Gjatë konfrencës së parë për shtyp, tekniku italian tha se objektiv kryesor është që dashuria e tifozëve të përkthehet në lojë në fushën e blertë.

“E kam ndjekur nga afër kombëtaren shqiptare dhe për këtë keni të gjithë komplimentet e mia. Falënderoj presidentin që më jep mundësinë që të drejtoj një skuadrën kombëtare të një populli me zemër të madhe. Premtimi është që dashuria për kombëtaren të reflektohet në fushë. Për mua është impenjim moral. Shqipëria është ekipi i një populli shumë krenar. Të transferojmë në fushë atë që ndjeni ju”, tha Maran.

Italiani theksoi se “më pëlqen të kem një ekip agresiv dhe që të bëjë lojën. Kjo është ADN-ja ime, duam të jemi vetë ata që të kemi lojën në dorë”.

Maran shtoi se ka folur me De Biasin, ish-trajnerin e Shqipërisë. “Po, kam folur, është një mik i imi dhe një trajner që e vlerësoj. Më ka dhënë disa vlerësime që mundohem t’i përfaqësoj”, tha Maran.

Maran shtoi se e njeh mirë Shqipërinë dhe ka parë shumë ndeshje të kombëtares kuqezi. “Kam parë dhe riparë disa ndeshje të Shqipërisë. Mua më pëlqen një ekip agresiv. Njoh lojtarë të Shqipërisë dhe mendoj se e ka bazën për të arritur objektivat. Ne mund të bëjmë shumë mirë dhe ndaj kombëtareve më të mira në letër”, u shpreh Maran.

Kur u pyet nëse do ta dërgojë dot Shqipërinë në Botëror, Maran tha se kjo është ëndrra e tij.

“Kjo është ëndrra ime. Nëse jam këtu, jam sepse dua që me përpjekje të mëdha dhe sigurisht me pak fat, kjo gjë mund të arrihet”, deklaroi Maran.

Edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka tha se Maran është zgjedhja e duhur për Kombëtaren. “Unë dhe ne si FSHF mendojmë se Rolando Maran është zgjedhja e duhur. Kemi zgjedhur një trajner që është nga një vend afër nesh, pasi kemi dhe të njëjtin mentalitet. Suksesi në futboll nuk varet vetëm nga eksperienca, por varet dhe nga përkushtimi, që jam i bindur se do të jetë tepër i madh nga ana e Maran. Jam i sigurt se do gjejë një ambient fantastik administrativ, mediatik e nga tifozët shqiptarë”, u shpreh Duka.

Ndërkohë, Rolando Maran ka nënshkruar deri në vitin 2028 me kombëtaren shqiptare. 62-vjeçari italian, prej korrikut të vitit 2025 është i papunë, teksa drejtoi Brescian në 15 takime.

Më herët, ai ka qenë edhe trajneri i Pisas, Genoas, Cagliarit, Chievos, Catanias, Barit apo Vareses në Itali. Kjo është hera e parë që Maran do të jetë në stolin e një ekipi kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë