Muzike

Mishela Rapo, një Dashni si Kënga Magjike

Shumë e mbajnë mend si vajza që i këndon nënës, kur u shfaq për herë të parë në “Kënga Magjike” , me baladën e ndjerë dhe të fuqishme, titulluar “Mama”. Në tretin vit radhazi, Mishela Rapo ka vendosur të vijë me një këngë për një tjetër lloj dashurie. Do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve, më 5 dhjetor, natën e parë të festivalit, që këtë vit mbush plot njëzet vite jetë, në një duet me këngëtarin Ergys Shahu.“Kisha tre projekte që m’u ofruan, por duke dashur të eksperimentoj mendova të dal me një duet. Ergysi me ofroi këngën, e cila me pëlqeu që herën e parë”, rrëfen këngëtarja. “Dashni e rrallë” është një këngë dashurie, por ndryshe nga notat melankolike të dashurive të vuajtura apo të pamundura, ritmet e saj janë të gëzueshme e madje të ftojnë edhe në vallëzim. “Në jetë ka dashuri, ndarje, urrejtje por e rëndësishmja është që në çdo fillim apo fund dashuria është aty. Unë e shoh jetën me ngjyra dhe nuk dua ta shoh bardhezi”,përgjigjet këngëtarja, ndërsa ndalet në paraqitjet e saj në festivalin “Kënga Magjike”. 

https://www.youtube.com/watch?v=_v43ECdx6Ok

  “Mbahem mend si vajza që i këndon mamës. E kam dashur që në fillim atë këngë”, zbulon Rapo, ndërsa një vit më vonë, më 2017-ën do të vinte me një tjetër performancë, duke u shfaqur më e rritur për t’i ikur edhe atij imazhit fëminor, me të cilin ishte mësuar publiku ta shihte në prezantimin e saj në “Gjeniu i vogël” e më pas në “Junior Eurovision”, ku u rendit në vend të pestë. “Kënga “E doja, s’e doja” ishte një eksperiment i radhës, veçanërisht me look-un, për të dalë e pavarur dhe jo më si “goca e mamit”, thotë, duke shtuar se ka bërë “më të mirën e mundshme për atë këngë”.Këngën e fundit, “Dashni e rrallë”, ku ajo këndon vargje si “Të du’ me shpirt o dashni e rrallë/ sa shumë të kam kërku’ më në fund të kam…” , e sheh si një pjesë të mbushur me energji pozitive. E prezantuar para një muaji në hapësirën që drejtori i festivalit “Kënga Magjike”, Ardit Gjebrea, ka për këngëtarët konkurrues në këtë garë, në emisionin “E diela Shqiptare”, dueti i Rapos dhe Shahut ka afro 350 mijë klikime në YouTube.

Të tjerë emra të njohur pjesëmarrës në edicionin e 20-të të festivalit, që këtë vit do të mbahet në datat 5, 6 dhe 8 dhjetor janë Aurela Gaçe, fituese e tre çmimeve të para në “Kënga Magjike” e cila prezantohet në një duet me këngëtaren Eli Fara, Flori Mumajesi, Artiola Toska së bashku me Brunon, Mentor Haziri, Era Rusi,  Klajdi Haruni, e shumë të tjerë. Në këtë edicion të njëzetë, Ardit Gjebrea do të shoqërohet në tri netët e festivalit nga prezantuesja Bora Zemani dhe balerina Klaudia Pepa, e cila prej disa vitesh po ndërton karrierën e saj në Itali. Edhe këtë vit, ashtu siç është edhe tradita e këtij festivali, këngëtarën do të votojnë njëri-tjetrin dhe përveç çmimit të madh, do të ketë trofe për disa kategori. Për herë të parë, këtë vit “Kënga Magjike” ka njoftuar se shikuesit do të mund t’i ndjekin të tri netët në “Livestream në VR”. “Mund të përjetoni emocionet e skenës, edhe nga shtëpia, nëpërmjet realitetit virtual”, shkruhet në njoftimin e organizatorët.

https://www.youtube.com/watch?v=2r9t2FkXMkM


Gjebrea gjithashtu ka njoftuar se biletat e festivalit janë të shitura, por për shkak të skenografisë së veçantë me ledëall-e gjigante të shtrira në 500 metra, është dashur të sakrifikohen afro katërqind vende nga salla, nga 2100 që është edhe kapaciteti i zakonshëm i sallës së madhe të Pallatit të Kongreseve. Mishela Rapo, edhe përballë emrave të njohur të muzikës së lehtë shqiptare, nuk heq dorë nga shpirti i garës. “Unë kam tetë vite që konkurroj në festivale, dikur fëmijësh dhe tani të rriturish”, thotë ajo, ndërsa do të shpallej si “debutuesja më e mirë” në festivalin mbarëkombëtar të fëmijëve në Shkodër, më pas gara në spektaklin e talenteve tek “Gjeniu i vogël” dhe në Eurovision, ku e renditi Shqipërinë në një pozicion të lartë, mes pesëshes më të mirë. Kur debutoi dy vjet të shkuar në “Kënga Magjike” me një himn dashurie për nënat, Mishela Rapo u bë edhe surpriza e atij edicioni, duke fituar edhe statusin “big”. 

https://www.youtube.com/watch?v=gz0qjmMse94


“Në  konkurrim jam futur gjithmonë për të lënë gjurmë me këngë të bukura për fëmijë dhe ia kam dalë me sukses duke marrë edhe çmime. Në festivalet e të rriturve akoma nuk e shoh veten triumfuese, sepse nuk mjafton vetëm talenti, por të duhet një material shumë i mirë dhe që kënaq shijet e publikut. Më besoni që është rrugë shumë e vështirë”, thotë Rapo, e cila është fokusuar fort tek studimet e larta këto kohë, duke e kaluar karrierën muzikore në vend të dytë.

“Unë do vazhdoj dhe pak vite të eksperimentoj me klip apo cover të ndryshëm, sepse pas çdo performancë kuptoj më mirë se çfarë unë dua të bëj dhe çfarë publiku do”, thotë, e vetëdijshme që në këtë industri, ku ajo bën pjesë që fëmijë, duhet testuar ndjeshmëria e publikut “Duhet të njohim veten mirë dhe të nxjerrim në pah aftësitë tona artistike me materiale cilësore që të arrijmë qëllimin final për të dhënë mesazhe pozitive dhe edukuar publikun me shije të mira muzikore”. Sido që të jetë rezultati në këtë edicion, me tri paraqitjet e saj, të njëpasnjëshme në “Kënga Magjike”, duket se Mishela Rapo nuk do të heqë dorë lehtë nga konkurrimi, duke e shndërruar këtë festival, në një tjetër dashuri, krahas asaj, së cilës do t’i këndojë në natën e parë, me shpresën se do të mbërrijë deri në finalen e madhe…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë