Lajme

Mish mes “pisllëkut”, AKU bllokon 6 tonë në Korçë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar në Korçë 6 ton e 323 kg mish të ngrirë për shkak të kushteve të rënda higjieno–sanitare ku kryhej aktiviteti si dhe subjekti nuk kishte asnjë dokumentacion për kontrollet veterinare të mishit, certifikimin e produktit  dhe elementin e gjurmueshmërisë (faturën tatimore)

AKU thotë se operacioni është në vazhdën e punës për disiplinimin e therjeve dhe të tregtimit të produkteve shtazore në funksion të sigurisë ushqimore dhe në kuadër të masave të përforcuara gjatë sezonit turistik.

“Konkretisht, gjatë kontrollit në subjektin e shtetases, Mirela  Dvorani me Nipt K74304001Q u konstatua mungesë të kushteve higjeno-sanitare në ambientet e tregtimit. Gjithashtu në dhomat frigoriferike u konstatuan disa produkte “mish i ngrirë” (1100kg stomak pule, 3432kg dhjam derri, 1316kg tremiks koke, 100 kg dhjam viçi, 350kg këmbë viçi, 25kg kokë qingji) që ishin të paketuara por pa asnjë të dhënë etiketimi, si dhe pa dokumentacion shoqërues: faturë tatimore dhe certifikatë veterinare të cilat u bllokuan me destinacion asgjësimin”, njofton Autoriteti.

Veç mbylljes së aktivitetit, për disa subjekte është ndërmarrë dhe masa administrative e gjobitjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë