Futboll

Mirel Josa merr drejtimin e Laçit, pason malazezin Vukiçeviç

Mirel Josa është zyrtarisht trajneri i ri i Laçit. Kryeqytetasi merr vendin e malazezit Vukiçeviç, i larguar nga stoli kurbinas pas humbjes në shtëpi me Egnatian javën e kaluar. Në ndeshjen ndaj Kastriotit skuadra u drejtua nga Sero Noka, ndërsa sot presidenti Pashk Laska ka emëruar Josën në krye të Laçit.

Kjo është lëvizja e parë në Superiore sa u takon trajnerëve. Jemi ende në javën e 6-të, por ecuria e Laçit në këtë start sezoni ishte shumë e dobët, ndaj dhe ndryshimi i trajnerit ishte i pashmangshëm. Aktualisht kurbinasit kanë 5 pikë.

Mirel Josa. Gazeta Si, 24 tetor 2021

Josa është një trajner me shumë përvojë. Kulmi i tij lidhet me ciklin fitues të Skënderbeut, të cilin e udhëhoqi edhe në grupet e Ligës së Europës herën e parë. Trajneri kryeqytetas ka drejtuar në karrierë edhe skuadra të tjera me emër, si Tirana, Vllaznia dhe Teuta. Ekipi i fundit që ka drejtuar në Superiore është Kukësi, ndërkohë që ka pasur një përvojë edhe në Kosovë me Prishtinën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë