Nga Gazeta Si- Një 27-vjeçar është vënë në pranga dhe kanë nisur hetimet për kryeplakun e fshatit Batra në Mirditë, për kultivim kanabisi.
Si rezultat i një hetimi disajavor në bashkëpunim me Prokurorinë Lezhë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Lezhë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Seven”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:
* E. Ç., 27 vjeç, banues në fshatin Batra, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit në afërsi të fshatit të tij në vendin e quajtur “Përroi Batrajve”, kishte kultivuar në 7 parcela të ndryshme në distancë nga njëra tjetra, 374 bimë kanabis sattiva.
Gjatë operacionit, ky shtetas u kap në flagrancë në njërën nga parcelat duke u kujdesur për bimët narkotike në orët e vona të mbrëmjes.
Gjithashtu është arritur të identifikohet i dyshuar si bashkëautor në këtë aktivitet kriminal, shtetasi J. M., 33 vjeç, banues në fshatin Xhuxhë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” e kryer në bashkëpunim ku vijon puna për kapjen e tij.
Në vijim të hetimeve proceduriale nga policia, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. Ç., është sekuestruar një armë gjahu çifte pa leje si dhe është bërë bllokimi i po një arme tjetër gjahu me leje.
Në vijim të operacionit, u procedua penalisht për shpërdorim detyre shtetasi S. Gj., me detyrë kryeplak i fshatit Batra. Ky shtetas dyshohen se nuk ka kryer detyrën e tij funksionale, në zonën që mbulon.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.