Bota

Miratoi raport që mohon gjenocidin, Dodik tubim kundër rezolutës për Srebrenicën: Do bëhemi pjesë integrale e Serbisë

Nga Gazeta 'Si'- Pasi parlamenti i Republikës Sërpska miratoi dje(18 prill) një raport që thekson se vrasja e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjës nuk përbën gjenocid, në Bosnje u zhvillua një takim me rreth 11 mijë njerëz për të mohuar gjenocidin.

Tubimi i organizuar nga SNSD dhe partitë partnere në Republika Sërpska i quajtur “Serbia po ju thërret” u mbajt në sheshin Krajina në Banja Lukë, dhe arsyeja e tubimit, siç thanë ata, është rezoluta për Srebrenicën, e cila do të diskutohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në maj.

Në takim morën pjesë edhe zyrtarë të lartë nga Serbia, ndër të cilët kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç.

Përkrahësit e partive në pushtet kanë mbërritur me autobusë nga pjesë të ndryshme të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa sipas kryetarit të NSRS-së, Nenad Stevandiç, autobusë kishte edhe nga Serbia.

Protestuesit mbanin flamuj të Republikës Sërpska dhe disa prej tyre mbanin një foto të presidentit rus Vladimir Putin.

Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, tha se populli serb nuk mund të jetojë në të njëjtin vend me ata që përpiqen ta shpallin atë gjenocid.

“Mos e bëni këtë, sepse nuk i kontribuon jetës në Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo nuk do të na bashkojë, kjo po na ndan përgjithmonë dhe ne nuk duam të jetojmë me ju që thoni se populli serb është gjenocidal. Ne nuk duam të jetojmë me ju dhe nuk do të jemi me ju në të njëjtin vend”, tha Dodik, duke aluduar në rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë.

Dodik u bëri thirrje politikanëve boshnjakë që të pajtohen dhe të bashkëjetojnë, por deklaroi se “Republika Srpska, nëse nuk e duan, do të bëhet pjesë integrale e Serbisë sapo të krijohet mundësia e parë”.

Vendimi i parlamentit për miratimin e raportit që mohon gjenocidin u mor në një kohë kur Serbia dhe Republika Sërpska janë duke bërë fushatë kundër një draft-rezolute, e cila është duke u diskutuar në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet ta votojë në fillim të majit këtë draft-rezolutë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët. Ai druhet se rezoluta mund të krijojë bazën për boshnjakët që të kërkojnë dëmshpërblim lufte nga Serbia, aleatja e serbëve të Bosnjës gjatë luftës.// N1 Sarajevo


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë