Pas miratimit të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar , dhjetëra qytetarë dhe artistë janë mbledhur përpara Parlamentit për t’u përballur me deputetët që dilnin nga salla e kuvendit. “Kriminelë, mizërie plehra, hajdutë” kanë qenë disa nga fyerjet që qytetarët e revoltuar për këtë vendim u kanë drejtuar deputetëve të mazhorancës.
|Populli duke pritur deputetët që votuan ligjin, për t’i pështyrë në surrat!! Bastardë!!
Nuk mbaron këtu, Teatrin do ta mbrojmë me trupat tanë!” –ka njoftuar Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.
Protestuesit, të cilët edhe më herët ishin pozicionuar përpara Teatrit Kombëtar në protestën e lajmëruar të së enjtes paradite kanë thënë se në këtë pikë nuk ka më reflektim, por e shohin zgjidhjen te mobilizimi. E vetmja zgjidhje përpara pasigurisë, që sipas tyre, është shndërruar në institucion.
“Sot nuk ishe dita e fundit, po dita e parë betejës që po nis. Duhet ta marrim teatrin kombëtar fizikisht.” –thanë protestuesit, ndërsa kanë shprehur bindjen se Teatrin nuk mund t’ua marrin komunitetit të artistëve pasii gjithë populli është në këtë kauzë.
Është lajmëruar se protesta do të vijojë edhe ditën e nesërme, në orën shtatë të mbrëmjes në oborrin e Teatrit Kombëtar.
“E dinim këtë, por kishim iluzion dhe dëshirë që disa nga deputetët të përfaqësonin popullin vërtet dhe të distancoheshin nga partia, sepse partia nuk është Edi Rama. Por me atë që bënë sot tregojnë se Edi Rama është partia Socialiste, prandaj mos u revoltoni. Kemi një pohim që çështja jonë është mëse e drejtë. Jemi duke rrëshqitur në diktaturë me shpejtësi marramendëse”- u tha gjatë protestës së zhvilluar në orët e vona të mbrëmjes.
Të pranishmit hodhën idenë e ngujimit në teatër e do të nisin një grevë urie. Madje disa propozuan ta nisnin gjatë kësaj nate, duke bllokuar rrugën e duke u shtrirë barkas përballë parlamentit, për të mos i lejuar deputetët të dalin jashtë.
Deputetët janë përcjellë me thirrjet “Turp! Turp! Turp” ndërsa kanë lënë oborrin e Parlamentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.