Lajme

Miratohen lejet për Piramidën dhe 3 rezorte në Kakome, Dhërmi e Hamallaj

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar në mbledhjen e disa ditëve më parë leje ndërtimi për rikonstruksion me ndryshim funksioni Piramidës së Tiranës dhe ndërtimit për disa resorte e komplekse turistike në bregdet.

Piramida do të ndryshojë funksion dhe për këtë arsye Bashkia e Tiranës ka kërkuar që të bëjë rikonstruksion.

Në mbledhje janë miratuar 23 vendime, ndër të cilat katër prej tyre lidhen me ndërtime kompleksesh.

Bëhet fjalë për një projekt në Kakome, një në Dhërmi dhe një tjetër në Hamallaj.

Leja e parë për Kokome Bay Resort nuk është projekt i ri. Ky projekt është folur prej vitesh por është  shoqëruar me përplasje të shumta lidhur me pronësinë e tokës mes shtetit dhe banorëve të zonës.

Kakome Bay Resort është projektuar në një sipërfaqe 290 mijë m2 në një nga gjiret në vend. Sipas të dhënave të projektit jo më shumë se 10.5 për qind e gjithë sipërfaqes do të përdoret për ndërtim dhe lartësia maksimale e ndërtesave do të jetë jo më shumë se 2 kate.

Për Kakome Bay Resort janë shpenzuar deri më tani 3 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës së aksesit në zonë. Sipas vendimit, leja e zhvillimit është për objektin: “Kakome Bay Resort, Bashkia Himarë”, me zhvillues Z. Luan Leka, shoqërinë “AgiKons” sh.p.k dhe Z. Dritan Çelaj.

Për kompleksin tjetër në Dhërmi është dhënë Leje Zhvillimi për objektin: “Kompleksi turistik “Dreamades”, Dhërmi”, me vendndodhje në Bashkinë Himarë, me subjekt zhvilllues “AG. TÇ” sh.p.k.

Në Hamallaj është dhënë leje Ndërtimi për objektin: “Kompleks turistik rezidencial “Hamallaj”, me vendndodhje Hamallaj, Bashkia Durrës”, me zhvillues shoqërinë “S&D Invest” sh.p.k.

Katër bashkive në vend u është miratuar për planet e përgjithshme vendore dhe bëhet fjalë për Gramshin, Këlcyrën, Përmetin dhe Roskovecin. Për Bashkinë Himarë është miratuar një ndryshim në planin ekzistues vendor teksa KKT ka dhënë miratimin edhe për 11 plane të detyruara vendore për 11 zonat e reja të zhvillimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë