Lajme

Miratimi i statusit, minatorët të mërkurën takim me Ramën

Një grup minatorësh u mblodhën ditën e sotme përpara Kryeministrisë, pasi kërkojnë miratimin e statusit. Të revoltuar ata kërkojnë me ngulm një përgjigje nga qeveria.

“Ne kërkojmë nga deputetët e Shqipërisë sa më shpejt të miratohet statusi jonë dhe ai që ka punuar 7 vjet nën tokë të marrë sadopak një përqindje të vogël. Kërkojmë statusin sa më parë. Sot presim përgjigje nga qeveria dhe në rast se qeveria nuk jep përgjigje, ditën e hënë do të ketë protesta nga e gjithë Shqipëria”, është shprehur njëri prej minatorëve.

Disa prej tyre kanë hyrë më pas në Kryeministri dhe janë takuar me stafin e kryeministrit Edi Rama për gjetjen e një zgjidhjeje.

Pas takimit Fiqiri Xibri, kreu i sindikatës së minatorëve 1991, informoi për rezultatet.

Pas takimit që u zhvillua me përfaqësues të Kryeministrisë u ra dakord që ditën e mërkurë minatorët do të takojnë kryeministrin dhe dy ministrat e linjës, duke bërë që protesta e ditës së hënë të mos zhvillohet. 

 “Diskutuam për mosveprimet e deritanishme të qeverisë. Nuk janë bërë hapat e nevojshëm për statusin e minatorit dhe mundësitë që janë për ta përfunduar në afatin minimal të mundshëm. U diskutua që afati minimal është me buxhetin e vitit të ardhshëm, por koha që ka mbetur është koha e duhur për të miratuar aktet e nevojshme. U diskutua me stafin e ngushtë të kryeministrit me dijeninë e tij.

Na thanë se të mërkurën do bëjmë një takim të madh të përfaqësuesve të minatorëve me kryeministrin dhe të gjithë ministrat e linjës.

Do diskutohet drafti i tyre i dakordësuar, por që është mbajtur peng për shkak të mos vlerësimit të kostos.

Të mërkurën do diskutohet drafti që është propozuar që më parë dhe që është dakordësuar edhe me konfederatën e sindikatave.

Nëse të mërkurën nuk na pret më kryeministri dhe nuk ka dakordësi, atëherë s’ka më kthim prapa, dy duar për një kokë”, deklaroi Xibri.

Ndërsa, pas takimit Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, tha se po vazhdon puna për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

“Komunikimi me përfaqësuesit e minatorëve vazhdon, njësoj siç vazhdon puna për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare. Angazhimi i Kryeministrit maksimal”, shkruan Fuga.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë