Lajme

Ministrja Gjonaj: S’ka kthim pas për Vettingun

Lidhur me ecurinë e procesit të Vettingut, ka dalë në një deklaratë për mediat ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Në fjalën e saj, së pari ka akuzuar opozitën, pasi kjo e fundit po kërkon me dëshpërim shkatërrimin e këtij kuadri ligjor.

“Procesi i Vettingut po zhvillohet përditë me gurët e revanshit të dëshpëruar të një opozite që pasi ka humbur pushtetin absolut mbi gjyqësorin e korruptuar deri në palcë, ka humbur edhe rrugën e arsyes.

Që opozita nuk e dinte Vettingun kjo dihet botërisht, që opozita votoi me pahir reformën në drejtësi, edhe vettingun, edhe përfshirjen e monitorimit ndërkombëtar në Kushtetutë edhe kjo dihet botërisht. Që opozita sot kërkon me dëshpërim shkatërrimin e këtij kuadri ligjor, të konsideruar botërisht si një revolucion në sistemin e drejtësisë shqiptare dhe kjo është përditë e më e qartë”, u shpreh ministrja Gjonaj.

Sa i përket kolapsit të Gjykatës Kushtetuese, ajo deklaron se vendi nuk ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese, por thjesht po pastrohet nga të korruptuarit.

“Shqipëria s’ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese por ka shpëtuar nga një trupë e sëmurë. Ky boshllëk do të mbushet.  Falënderojmë partnerët tanë për mbështetjen dhe garantojmë qytetarët se përpjekja e opozitës për bllokimin e shkollës së magjistraturës ishte e pashpresë dhe s’ka kthim pas. Asgjë dhe askush se bllokon dot më këtë rrugë. Vettingu s’diskutohet më, por zbatohet. E ftoj opozitën të bashkëpunojë”, vijoi më tej ministrja.

Më herët, opozita ka bojkotuar votimin e ligjit për magjistratët, duke bërë që të shtyhet për në shtator. Gjithashtu, Basha ka listuar edhe 7 pikat që maxhoranca duhet të zbatojë për zgjidhjen e ngërçit në drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë