Taksa

Ministrja e Financave: Bizneset po kërcënojnë

Ministrja e Financave, Anila Denaj, dhe drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj kanë dalë sot të sqarojnë opinionin publik se si po vijon aksioni antiinformalitet.

Sipas Ministres së Financave, abuzimet më të mëdha me ligjin bëhen te produktet e akcizës, pijet alkoolike dhe karburantet. Po ashtu deklarohet prej tyre se edhe ndërtimi është një sektor me risk. Por bizneset nuk po heshtin, madje ata kanë nisur të ëkrcënojnë autoritetet.

Nga subjektet e inspektuara nga Administrata Tatimore që nga 4 korriku, rreth 50 % e tyre kanë pasur shkelje të llojeve të ndryshme.

“Jemi të fokusuar më shumë te produktet e akcizës, pijet alkoolike, si dhe po monitorohet cilësia e karburantit. Gjithashtu, është evidentuar ndërtimi si sektor me risk”, ka thënë ministrja Denaj duke shtuar se “ Kërkesa për lëshim të kuponit ka filluar të rritet. Subjektet jo vetëm që nuk fillojnë ta zbatojnë ligjin, por shkojnë më tej dhe kërcënojnë punonjësit, sidomos ata që kanë evidentuar shkelje. Në këto raste ne kemi lajmëruar policinë. Nëse pas heqjes së shiritit, subjekti vijon punën, ne jemi aty për të shtuar koston. Jemi shumë afër finalizimit dhe nxjerrjes brenda javës së parë të shtatorit të hapave të aksionit. Gjykatësit duhet të respektojnë ligjin dhe të mos flasin në favor të biznesit pa faktuar atë që thotë administrata tatimore, të mendojnë dy herë kur të shkelin ligjin. Pasi na ka ndodhur që ne e kemi ndëshkuar subjektin dhe gjykatësit kanë vendosur të kundërtën.”

Ndërsa, drejtoresha e Tatimeve është shprehur se aksioni do të vazhdojë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në muajin gusht.

“Janë konstatuar mbi 1 mijë shkelje për mosregjistrim të punonjësve, shkelje për moslëshim të kuponit tatimor. Ju bëjmë thirrje të gjithë subjekteve, që të gjithë do të inspektohen, ilegaliteti nuk do të lejohet më. Do vazhdojmë të jemi në terren jo vetëm në muajin gusht, por gjatë gjithë vitit, në mënyrë që të gjitha subjektet të paguajnë detyrimet. Problematika kryesore është moslëshimi i kuponit tatimor. Subjektet duhet të paguajnë të gjitha detyrimet e tyre. Ne nuk do të lejojmë konkurrencën e padrejtë, do bëjmë të mundur që të gjithë të respektojnë rregullat e shtetit”, ka deklaruar Ibrahimaj.

Sipas saj, po ndërmerren vizita fiskale te hidrokarburet, tatimet dhe ndërtime dhe ilegaliteti nuk është vetëm në sektorin e shërbimeve, por edhe në sektorë të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë