Lajme

Ministrja e Arsimit: Do të sqarohem në Prokurori për marrjen e të dhënave të prindërve

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla reagon për herë të parë pas akuzave të PD në lidhje me marrjen e të dhënave personale të prindërve të nxënësve në shkollat e gjithë vendit.

Duke e quajtur të turpshëm reagimin e PD, Nikolla njoftoi se ndaj saj është ngritur padi penale dhe ajo do të sqarohet në Prokurori për cështjen e të dhënave personale, por edhe në Parlament.

“Unë do të sqarohem edhe në Parlament, më kanë bërë edhe padi penale, do të shkoj edhe në Prokurori ta sqaroj, ka edhe një hetim të hapur nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe nuk më tremb asgjë”- u shpreh disi e revoltuar ministrja e Arsimit, por e bindur se ky projekt komunikimi do të vazhdojë të krijohet dhe më pas të zbatohet.

“Dua të komunikoj me prindërit në vend, sepse nuk arrij dot të jem në të gjitha shkollat e Shqipërisë në një çast, edhe të pyes se si po punon ajo mësuesja aty? Si janë tekstet? Si po punon drejtori? Si po punon drejtoresha e arsimit?

Më thoni nuk e keni ju këtë nevojë? Kur është e mundur dhe kur e kemi mundësinë pse mos ta bëjmë?

Gjithcka po bëhet në mënyrë të studiuar përmes specialistëve më të mirë të IT për të ngritur një sistem të sigurt komunikimi”- u shpreh Nikolla.

Ministrja Nikolla sqaroi opinionin publik se marrja e të dhënave shërben për të ngriur një sistëm të ri komunikimi të përjavshëm me prindërit e të gjithë nxënësve.

“Unë dua ta përdor teknologjinë,  email-et e kompjuterat nuk janë kot, janë një instrument dhe një mundësi që ne në kohë reale të marrim përgjigje nga prindërit”- sqaroi Nikolla.

Ministrja Nikolla iu përgjigj pyetjes së një qytetari gjatë turit të llogaridhënies në Vllahinë dhe Novoselë të Vlorës.

Ministria e Arsimit u tërhoq nga vendimi i marrjes së të dhënave personale të prindërve të nxënësve në shkollat e gjithë vendit pas akuzave të PD, e cila deklaroi se me marrjen e të dhënave personale, qeveria e majtë do të përgatiste mashtrimin elektoral për zgjedhjet e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë