Politike

Ministrja Denaj prezanton projektbuxhetin 2020: Më shumë rritje ekonomike

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj prezantoi këtë të premte projektbuxhetin për vitin 2020 në Konferencën e Kryetarëve.
Sipas saj, rritja ekonomike e parashikuar 4.1% do të përkthehet në më shumë punësim, ku synohet krijimi i rreth 35 mijë vendeve të reja pune, si dhe një ulje e mëtejshme e shkallës së të papunësisë poshtë nivelit 11%.
Investimet publike janë planifikuar në nivelin e 4.7% të Produktit të Brendshëm Bruto ose rreth 84 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 4% kundrejt të pritshmit të këtij viti.
“Sigurimi i një niveli të lartë të investimeve publike prej 4.7% e Produktit të Brendshëm Bruto, do të jetë mbështetës për rritjen ekonomike dhe punësimin”, deklaroi Denaj gjatë konferencës.
Denaj u shpreh se për të pestin vit radhazi, balanca primare parashikohet të jetë pozitive në nivelin 0.7%, duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse. Në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2% të PBB, për të zbritur poshtë 60% të PBB në 2021 dhe më tej në rreth 57% në vitin 2022.
Buxheti i pushtetit vendor për vitin 2020 është programuar në rreth 57 miliardë lekë, rreth 11.2% më i lartë se ai i 2019-ës ose rreth 5.7 miliardë lekë më shumë fonde për shërbime dhe investime publike vendore. Në raport me PBB ky buxhet është rreth 3.2%. Ministrja e Financave foli edhe për sektorin e arsimit ku, sipas saj, për vitin e ardhshëm do të jepen 3.3 miliardë lekë më shumë se këtë vit.
Denaj premtoi gjithashtu lehtësira fiskale edhe për sektorin e automobilave në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë