Rend dhe Ligj

Ministria e Brendshme kërkon që tullumbacja me azot të futet në listën e lëndëve narkotike

Gazeta Si - Me një kërkesë të depozituar në Komisionin e Çështjeve Sociale, Ministria e Brendshme, kërkon që tullumbacja me azot të futet në listën e lëndëve psikotrope, përfshirë ato narkotike.

Ministria kërkon që të sigurojë një bazë të përshtatshme ligjore dhe ndjekje penale për këtë fenomen në rritje, duke parë se konsiderohen të dëmshme për shëndetin e njeriut.

Në shkresën që mban firmën e ministrit Taulant Balla, shkruhet se nga operacionet e fundit policore është vënë re shqetësimi për përdorimin nga të rinjtë të lëndëve në formë gazi të llojit N2O, azot dhe dyoksid karboni

Sipas ekspertëve të mjekësisë, thuhet më tej, këto lëndë sjellin probleme shëndetësore. Duke qenë se këto lëndë nuk klasifikohen aktualisht si lëndë narkotike apo psikotrope lind nevoja për përfshirjen e tyre në listën që i bashkangjitet ligjit “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, i ndryshuar.

Të dhënat e fundit nga Policia e Shtetit, evidentuan fenomenin në rritje të përdorimit të kësaj lënde me formë gazi e llojit azot.

Si rrjedhojë, nisur edhe nga paralajmërimi i ekspertëve të mjekësisë për problemet shëndetësore që krijohen nga përdorimi i kësaj lënde psikotrope, policia ka ndërmarrë një operacion, ku në shumë raste ka sekuestruar bombola të mbushura me këtë lloj gazi për të shmangur përdorimin në rritje të dhe shitjen e tyre të paautorizuar me qëllim përfitimi.

Disa javë më parë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në fjalën e tij në Parlament ka deklaruar se tullumbacet me oksid azoti po shiten në lokalet e Tiranës dhe se së shpejti do të paraqesë një projektligj që kërkon ashpërsim të masave të dënimit për ata që shpërndajnë lëndë narkotike.

Balla kërkoi mbështetjen e deputetëve të opozitës dhe mazhorancës për të votuar këtë projektligj.

Ai nënvizoi se parandalimi i shpërndarjes së lëndëve narkotike është një sfidë dhe ndikon në të ardhmen e fëmijëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë