Lajme

“Ministria e Arsimit e dinte rastin e 15-vjeçares në Babrru”

Pas ngjarjes së përdhunimit të 15-vjeçares nga roja i shkollës në Babrru të Tiranës, dalin të tjera dëshmi tronditëse për sa i përket dhunimit seksual të vajzave, po në këtë shkollë. Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sportit, sipas Top Channel, ka qenë në dijeni të rastit, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap. Sipas kësaj medie, një tjetër vajzë është shantazhuar nga shokët e klasës për të kryer më pas marrëdhënie seksuale me të. Rastin tjetër e kishte vënë re psikologia e shkollës pas një bisede me vajzën në fjalë dhe me prindërit e saj, ndërkohë që rasti është denoncuar në polici dhe çështja ka arritur deri në instancat më të larta të Ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sportit, por kjo e fundit nuk ka vepruar.

Hetimet e deritanishme tregojnë se çështja është mbyllur në ndërgjegjen e vajzës 15-vjeçare që prej vitit 2018 dhe askush nuk ka dhënë një zgjidhje për të, deri në momentin që njëri prej djemve është arrestuar gjatë ditëve të fundit kur u zbulua përdhunimi i shoqes së saj.

15-vjeçarja që denoncoi vetë dhunën seksuale nga roja i shkollës në polici ka thënë në deklaratën e saj se të njëjtën gjë si ajo kanë përjetuar edhe shoqet e saj.

Gjatë ditës së djeshme, Besa Shahini në foltoren e parlamentit akuzoi organizatat për mbrojtjen e fëmijëve që i dinë këto raste më parë dhe nuk tregojnë. Gjithashtu ajo ngriti akuza edhe për mediat që merren me identifikimin e personit të dhunuar seksualisht. Në të njëjtën linjë ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili u shpreh se i vetmi njeri që kishte bërë punën siç duhej ishte ministrja Shahini.

Por deklaratat e sotme në media tregojnë se shkolla në Babrru dhe Ministria e Arsimit kanë qenë në dijeni por përsëri nuk kanë vepruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë