Ministri Majko dhe kryetari i PR, Fatmir Mediu kanë qenë këto ditë në Francë.
Ashtu si çdo vit, opozita iraniane e cila përfaqëson edhe muxhahedinët e ardhur në Tiranë, u mblodh sërish në Paris, në takimin e tyre më të rëndësishëm, që mbledh delegacione nga e gjithë bota. Pjesë e delegacionit shqiptar ishte ministri për diasporën Pandeli Majko dhe kreu i republikanëve Fatmir Mediu.
“Irani i Lirë” ishte tema e takimit të këtij viti. Maryam Rajavi, Presidentja e këshillit kombëtar të Rezistencës së Iranit, tha se fitorja është e pashmangshme pasi kryengritja dhe protestat e kanë kaluar tashmë kufirin dhe Irani do të jetë i lirë.
“Kjo është beteja e kombit iranian. Rrëzimi i regjimit është i pashmangshëm. Fitorja është e sigurt dhe Irani do të jetë i lirë”, u shpreh Maryam Rajavi, Presidente e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.
Rajavi foli gjatë për protestat e 6 muajve të fundit, që ka dobësuar pozitat e liderit Khamenei, i cili tashmë sipas saj nuk ka më legjitimitet. Dhe idetë për Iranin e së ardhmes, ajo i ka të qarta.
“Kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë të mbrojmë barazinë gjinore, ndarjen e fesë nga shteti, heqjen e dënimit me vdekje, lirinë e shprehjes, partive, medias, dhe mbledhjes; lirinë e unioneve, shoqatave, këshilleve dhe sindikatave. Ne përkrahim një Iran jo-bërthamor”, tha Rajavi.
Dhe sipas muxhahedinëve, hapi i parë drejt Iranit të lirë do të jetë kalimi i sovranitetit tek populli dhe pas rrëzimit të qeverisë, do të krijohet një qeveri e përkohshme 6 mujore, që detyrë kryesore do të ketë hartimin e një kushtetute të re. të ftuar në takimin e Parisit ishin senatorë e politikanë, bashkë me degelacionet nga disa kontinente.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.