Drejtësia

Ministri i Mbrojtjes Peleshi 2 orë në SPAK, dyshohet se u pyet për marrëdhëniet e tij me Klodian Zoton

Ministri i Mbrojtjes Peleshi 2 orë në SPAK, dyshohet se u pyet për marrëdhëniet e tij me Klodian Zoton

Gazeta Si - Për më shumë se 2 orë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka dëshmuar në SPAK, ku sipas burimeve u mor në pyetje në kuadër të hetimeve që po kryhen për aferën e inceneratorëve dhe lidhjen e tij me Klodian Zoton, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Jashtë SPAK-ut, Peleshi nuk ka preferuar të flasë për mediat, por tha shkurtimisht se “ishte aty për çështje funksioni”.

Ai i është përgjigjur fletëthirrjes për t’u paraqitur në orën 10:40 në SPAK dhe ka qëndruar aty për rreth dy orë. “S’kam asgjë për të thënë…”, tha duke u larguar ministri.

Burimet bëjnë me dije se Peleshi është thirrur për hetimin për inceneratorët, marrëdhëniet me Klodian Zoton dhe për procedurën e matësve të ujit kur ka qenë në në krye të Bashkisë së Korçës (2007-2012).

Sipas asaj që po heton SPAK, Mirel Mërtiri me Klodian Zoton, falë ndërhyrjes së Arben Ahmetaj, sipas prokurorisë, arrijnë të përfitojnë një tender për matësat e ujit me vlerë 3.3 milionë euro në 11 shkurt të vitit 2013 në Korçë.

Zoto është në kërkim për një nga aferat më të mëdha në vend, atë të inceneratorëve, para së gjithash në bashkëpunim me ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.

Më herët, Peleshi është përballur edhe me institucionet e drejtësisë, lidhur me skandalin e ‘Silicon Mix’, në kohën kur Peleshi ka qenë ministër i Bujqësisë.

Partia e Lirisë (ish-LSI) në prill 2021 ka kallëzuar në SPAK Peleshin, duke e akuzuar atë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” dhe përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore.

Bashkë me Peleshin, në Prokurorinë Speciale janë kallëzuar dhe disa persona të tjerë që mbanin funksione publike në Korçë. Kallëzimi është depozituar në SPAK nga ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari.

Në kallëzimin penal të LSI-së (Partia e Lirisë sot) thuhet se të gjithë këto shtetas të cilët kemi kallëzuar ushtrojnë funksione publike prej kohësh, ata e kanë lënë postin dhe kanë filluar të bëjnë fushatë ku të munden dhe si të munden duke filluar që nga zyra e tyre ku ushtrojnë detyrën publike, ashtu edhe të punonjësve në varësi të tyre duke i ngarkuar me detyra politike edhe pse ato ushtrojnë një detyrë publike jopolitike.

Kjo është hera e parë që ministri Peleshi paraqitet në SPAK. Ai ka mbajtur edhe detyrën e zv.kryeministrit në periudhën 2013-2017. Ndërsa në periudhën shtator 2017-janar 2019 ka shërbyer si ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë