Politike

Ministri i Jashtëm gjerman: Të hapen negociatat me Shqipërinë

Ndërkohë që Gjermania pritet të vendosë këtë javë për fatin e negociatave me Shqipërinë, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mass duket se ka konfirmuar edhe njëherë sot mbështetjen e tij për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë.

Gjatë një konferencë të përbashkët me homologun kroat, Mass vlerësoi progresin e bërë nga dy vendet e Ballkanit Perëndimor dhe tha se Bundestagu gjerman do të marrë së shpejti një vendim.

Ai tha se Gjermania dhe Kroacia, dy vendet që do të kenë Presidencën e radhës të Bashkimit Europian gjatë vitit 2020-të, mbështesin hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Mendoj se Bashkimi Europian, si një projekt paqeje dhe promotori ekonomik, nuk është askund tjetër më i rëndësishëm se në Ballkanin Perëndimor. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë progres real dhe unë nuk kam çfarë të them tjetër. Duhet t’iu ofrojmë këtyre dy vendeve një perspektivë te besueshme europiane dhe duhet të nisim bisedimet për anëtarësim. Kjo është diçka të cilën ne nuk po e diskutojmë vetëm në qeverinë gjermane, por edhe në Bundestag ku duhet të merret një vendim”, u shpreh diplomati gjerman.

Heiko Maas, Gazeta Si, 9 shtator 2019

Mass është shprehur në disa raste në favor të çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por qeveria gjermane është përçarë lidhur me çështjen. Rezistenca e Merkel dhe liderëve të tjerë të Europës veriore bënë që vendimi të shtyhej në tetor. 

Gjermania do të marrë një vendim zyrtar për negociatat me Shqipërinë më 24 shtator, ndërkohë që kryeministri shqiptar do të udhëtojë drejt Berlinit në përpjekje për të bindur qeverinë gjermane për hapjen e bisedimeve.

Lajmi është bërë i ditur nga “Deutsche Welle”, e cila ka mësuar nga qarqet e CDU/CSU-së në Berlin, javën e ardhshme deputetët e grupit më të madh në parlamentin e Gjermanisë (Bundestag), do të merren intensivisht me Shqipërinë, në kërkim të një qëndrimi për çeljen e negociatave.

Gazeta Si i kërkoi një prononcim deputetit të CDU-së, Johann David Wadephul. i cili ishte përfolur se do të vijë së shpejti në Tiranë për të zgjidhjen e krizës politike, por deputeti gjerman është shprehur se nuk kishte deshirë të komentonte as çështjen e negociatave dhe as për zgjidhjen e krizës politikë në Shqipëri.

Pas kërkesës së gazetës për një intervistë për situatën politike në Shqipëri dhe vendimin për negociatat, zëdhënësi i deputetit gjerman, Hans Joakin-Falenski, thotë se Whadepul nuk dëshiron të prononcohet për këtë çështje.

Përgjigja e deputetit gjerman për Gazetën Si.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë