Financa Personale

Kërkesat e minatorëve për qeverinë, çfarë duhet të përcaktojë Statusi për ta

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e mbështetur dhe nga qytetarë të angazhuar të vendit ka dërguar peticionin për Statusin e Minatorit pranë ; Kuvendit, Qeverisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

“Ne, minatorët, ish-minatorët dhe qytetarët e Bulqizës, Dibrës dhe mbarë Shqipërisë, me bindjen se puna në minierë është më e vështira dhe nga më të rëndësishmet për ekonominë e vendit, të vetëdijshëm se deri më sot minatorët nuk e kanë marrë asnjëherë atë që u takon - kanë vdekur, janë gjymtuar dhe nuk kanë mbështetur dot siç duhet familjet e tyre - si dhe duke ditur që kuadri ligjor në fuqi nuk u përgjigjet nevojave bazike të minatorëve, kërkojmë hartimin dhe miratimin një orë e më parë të ligjit për “Statusin e Minatorit”.”- citon dokumenti i dërguar institucioneve të vendit dhe që e disponon gazeta “Si”.

Në të minatorët kanë kërkuar që statusi të mbulojë; sigurimin e jetës, rritjen e pagave dhe përfitimeve të tjera ku paga minimale e minatorëve të mos jetë më e ulët se 235% e pagës minimale zyrtare (llogaritur sot, 70’500 lekë);pagesë për vështirësi dhe vjetërsi në punë; pagë të 13-të, sigurim nga papunësia, Në rast të humbjes së vendit të punës, pagesë 100% të pagës minimale zyrtare në muaj (aktualisht 30’000 lekë), deri në 5 vite, e përshkallëzuar sipas viteve të punës në nëntokë dhe gjithsej;

Gjithashtu minatorët kërkojnë që statusi tu japë përparësi në punësim e strehim prej institucioneve shtetërore, rritje të pagave të punëtorëve në miniera në sipërfaqe, në raport me pagat e nëntokës, indeksim i përvitshëm dhe rritjen e pensioneve për minatorët.

Minatorët kërkojnë edhe kujdes shëndetësor të veçantë për ta dhe për ish minatorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë