Futboll

Milani zyrtarizon firmën me Leaon deri në 2028-ën, klauzolë 175 milionë euro

Gazeta Si – Futbollisti portugez do të përfitojë me kontratën e re 7 milionë euro në vit, duke përfshirë edhe bonuset. Tani mund të ndryshojë fanellë, duke kaluar nga numri 17 te 10-a.

Telenovela ka përfunduar. Rafael Leao ka rinovuar kontratën me Milanin deri më 30 qershor 2028, siç ka konfirmuar sapo ka dalë nga selia e klubit kuqezi. "Po shkoj me pushime i qetë. Jam i lumtur për rinovimin, e doja prej kohësh, shpresoj të bëjmë gjëra të mëdha në të ardhmen. Numri? Të shohim, 17-a është një numër special për mua", - tha Leao.

Portugezi do të ketë një klauzolë prej 175 milionë eurosh në kontratën e re, nga e cila do të përfitojë 7 milionë euro në vit. Vitin e kaluar ishte MVP i Serisë A, një nga udhëheqësit e Piolit drejt titullit, kurse këtë sezon ka shënuar 14 gola dhe ka dhënë 15 asiste.

Milani e kishte paralajmëruar rinovimin, duke publikuar një postim me sërf. Arsyeja? Leao është një i apasionuar pas sërfit dhe shpesh feston kështu.

I ardhur nga Lila në 2019-ën, Leao ka shënuar 41 gola në 162 ndeshje me Milanin. Tani mund të mbajë fanellën numër 10, që e kanë mbajtur më parë kampionë të mëdhenj, si Rui Kosta, Saviçeviç, Sedorf, Gulit. Nëse Diaz do të kthehet te Reali, Leao do të mbajë 10-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë