Futboll

Milani shkëlqen në ‘Maradona’, 4 gola Napolit për vendin e 3–të

Gazeta Si – Ndeshja përmbyllëse e javës së 28-të të Serisë A, kryesfida mes Napolit dhe Milanit, është fituar thellë nga skuadra e Piolit, 0-4. Të udhëhequr nga Leao dhe Brahim Diaz, kuqezinjtë dominuan dhe u ngjitën në vend të 3-të në klasifikim. Raundi i parë mes këtyre dy skuadrave në prag të Championsit shkon për Milanin.

Rafael Leao festo nje nga golat ndaj Napolit. Gazeta Si, 2 prill 2023

Ishte një ndeshje pa histori në 'Maradona'. Brahim Diaz i dhuroi Leaos një top perfekt për golin e parë vetëm pas 17 minutash. Më pas ishte vetë spanjolli që dyfishoi shifrat. Në pjesën e dytë Leao shënoi një gol fantastik me një diagonale me të majtën. Serinë e golave e mbylli belgu Saelemaekers, që kaloi mes mbrojtësve të Napolit dhe mposhti Meret.

Napoli tashmë ka 16 pikë avantazh nga Lacio e vendit të dytë dhe titulli nuk vihet në diskutim, por humbja e sotme ishte turpëruese për Spaletin. Trajneri i Napolit pati edhe një debat me Maldinin në pushim të ndeshjes, për shkak të mënyrës së festimit të Leaos.

Mbrojtja e Napolit ishte në një ditë të errët, po ashtu edhe sulmuesi Simeone, që zëvendësoi Osimhen të dëmtuar.

Milani është ngjitur në kuotën e 51 pikëve, duke kaluar Interin dhe Romën që kanë nga 50 pikë. Kjo fitore e ngroh shumë skuadrën kuqezi në prag të sfidës së parë çerekfinale të Championsit.

Në ‘Maradona’ ndodhi edhe një epiosod i shëmtuar. Në shkallët e stadiumit shpërtheu një zënkë absurde mes tifozëve të Napolit. Këta të fundit para ndeshjes kontestuan presidentin Aurelio De Laurentis.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë