Futboll

Milani rrit ofertën dhe Leao refuzon Realin dhe Çelsin, firma para derbit

Gazeta Si - Maldini dhe Masara kanë rritur ofertën për sulmuesin portugez, duke e çuar në 6.5 milionë euro, plus bonuset. Tani distanca me kërkesat e lojtarit është minimale, ndërkohë që mbetet e pazgjidhur nyja me Sportingun e Lisbonës.

Telenovela e rinovimit të Rafael Leaos me Milani duket se do të ketë një fund të lumtur. Këto javë kanë vazhduar bisedimet e klubit me përfaqësuesit e futbollistit. Paolo Maldini dhe Frederik Masara po bëjnë gjithçka që të kënaqin Leaon, duke e çuar ofertën në 6.5 milionë euro në vit, plus bonuset.

Rafael Leao. Gazeta Si, 26 prill 2023

Me këtë shifër redkutohet në gjysmë milioni distanca mes kërkesës dhe ofertës. Këtu mund të shtohet edhe gatishmëria e Milanit për të rimbursuar sulmuesin me 2 milionë euro që deri tani ai ka derdhur në arkat e Sportingut, një nyjë e vërtetë kjo gjatë bisedimeve.

Janë 22 milionë euro që Leao i detyrohet klubit portugez. Ka edhe një mundësi që në fund shuma të paguhet nga Lila, klubi francez që është përfshirë në këtë çështje. Lila mund ta shlyejë gjithë borxhin për të mos humbur përqindjen e fitimit në rast të shitjes së lojtarit nga Milani, sipas akordit me klubin italian.

Çështja është ende e hapur, mungojnë disa detaje, siç ka thënë edhe vetë lojtari pas kualifikimit në gjysmëfinale të Championsit. Optimizmi është rritur, sepse pas disa muajsh stanjacioni, bisedimet kanë avancuar drejt marrëveshjes mes palëve. Qëllimi është që Leao të rinovojë deri në 2027-ën kontratën që i sakdon pas një viti.

Është vetëm çështje kohe tashmë dhe ka mundësi që akordi të firmoset para sfidës së Championsit kundër Interit. Portugezi ka refuzuar për momentin ofertat e Çelsit dhe Real Madridit, duke treguar se dëshiron të vazhdojë me fanellën kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë