Futboll

Milani në gjysmëfinale të Championsit pas 16 vitesh, Reali mund sërish Çelsin

Gazeta Si – Milani dhe Real Madrid janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të Ligës së Kampionëve. Historia ka peshën e saj në këtë kompeticion të rëndësishëm dhe këto dy skuadra të mëdha, ndër më fitueset e Championsit, e kanë vërtetuar sot, duke eliminuar respektivisht Napolin dhe Çelsin.

Milani barazoi sot 1-1 në fushën e Napolit, ndërsa ndeshjen e parë e kishte fituar 1-0 në ‘San Siro’. Kuqezinjtë kthehen kështu në gjysmëfinale të Championsit pas 16 vitesh.

Milani feston golin e Zhiru. Gazeta Si, 18 prill 2023

Skuadra napoletane e nisi mirë ndeshjen, por Milani ishte vrastar, kur vinte në punë Leaon, që fitoi një penallti në minutën e 21-të, pas pengimit nga Mario Rui. Zhiru gjuajti nga pika e bardhë, por u ndal nga Meret. Më pas portieri i Napolit fitoi një tjetër duel me francezin, duke pritur me këmbë një gjuajtje të tij.

Por në fundin e pjesës së parë nuk mund të bënte asgjë: Leao bën 70 metra me topin në këmbë, ‘djeg’ Di Lorencon dhe Rrahmanin dhe shërben për Zhiru, që nuk gabon me portën bosh. Gjatë kësaj pjese pati edhe polemika për një penallti të mohuar për Napolin.

Tetë minuta para fundit Maingnan priti një penallti të Kvaratshkelias, duke prerë shpresat e Napolit për t’u futur në lojë. Në minutën e 3-të shtesë Osimhen realizoi golin e barazimit për Napolin, por që rezultoi një gol statistikor, sepse nuk pati vlerë për kualifikimin. Në gjysmëfinale shkon Milani. Nëse kualifikohet Interi ndaj Benfikës, do të ketë një derbi në Champions pas 18 vitesh.

Real Madrid përsëriti ndeshjen e parë. Madrilenët fituan sot 0-2 në ‘Stamford Bridge’, ashtu siç kishin bërë në ‘Bernabeu’ disa ditë më parë. Sfida e sotme u vendos nga një dopietë e brazilianit Rodrigo, por duhet theksuar se ndeshja ishte e hapur, me londinezët që patën disa raste për të rihapur kualifikimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë