Futboll

Milani i kthehet pistës Morata për sulmin, Interi mendon për Aubamejang

Gazeta Si - Alvaro Morata ka një lidhje të dyfishtë me Italinë, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Sulmuesi spanjoll është martuar me italianen Aliçe Kampelo, ndërsa me Juventusin ka shkruar faqe të rëndësishme të karrierës së tij.

Mund të ishte rikthyer të bardhezinjtë, nëse do të gjendej një akord me Atletiko Madrid. Nuk ndodhi dhe Morata luajti në Spanjë, por tani, pak më shumë se një vit nga skadenca e kontratës me ‘colchoneros’, mund të kthehet në Itali. Jo te Juventusi, por te Milani.

Alvaro Morata kur luante me Juventusin. Gazeta Si, 25 mars 2023

Klubi kuqezi edhe më parë e ka kërkuar spanjollin, që ka thënë se në Itali do të luajë vetëm me Juventusin. Tani situata është ndryshe. Në Torino e presin në çdo moment, sidomos Alegri që e vlerëson shumë, por Juventusi tani ka halle më të mëdha për të zgjidhur.

Milani po kërkon një sulmues, që mund të luajë në krah të Zhiru. Origi ka zhgënjyer, kurse Leao duket i paqartë për të ardhmen. Morata ka gjithë karakteristikat teknike të nevojshme për Piolin. Edhe nga pikëpamja ekonomike operacioni mund të realizohet. Vlera e kartonit të sulmuesit shkon në rreth 15-20 milionë euro. Duhet parë paga, duke ditur që te Juventusi Morata përfitonte 5 milionë euro në sezon.

Lukaku festo nje nga golat ndaj Suedise. Gazeta Si, 25 mars 2023

Për të forcuar sulmin po mendojnë edhe zikaltrit e Interit. Ideja e fundit është ajo e Aubamejang, në rast se ky i fundit do të prishë kontratën me Çelsin. Lajmi bëhet i ditur nga ‘Gazzetta dello Sport’, ndërkohë duhet theksuar se gjithçka varet nga fati i Romelu Lukakut.

Belgu ka pasur një sezon të vështirë tek Interi dhe vetëm kohët e fundit duket se po rikthehet. Gjatë gjithë sezonit ka pasur dilema për të zgjatur huazimin ose jo të sulmuesit, që mbrëmjen e së premtes realizoi 3 gola ndaj Suedisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë