Futboll

Milani forcon mesfushën me Loftus-Çik, Juventusi e nis merkaton me Ueah

Gazeta Si – Koha për vizitat mjekësore dhe pastaj firmat, si te Milani, ashtu edhe te Juventusi. Kuqezinjtë kanë përforcuar mesfushën, kurse bardhezinjtë sulmin.

Ruben Loftus-Çik mund të quhet një lojtar i Milanit. Mesfushori në pronësi të Çelsit mbërriti të mërkurën në Itali dhe sot po kryen vizitat mjekësore në "La Madonnina". Gjatë pasdites anglezi do të jetë në selinë e Milanit, ku do të takojë drejtuesit e klubit dhe do të firmosë kontratën deri në 2028-ën. Te Milani shpresojnë për një goditje si ajo e mbrojtësit Tomori, i ardhur pikërisht nga Çelsi.

Ueah mberrin ne Torino. Gazeta Si, 29 qershor 2023

Te Juventusi është dita e Timoti Ueah, djali i Xhorxh Ueah, fitues i “Topit të Artë” kur luante me Milanin. Sulmuesi anësor do të hapë merkaton e verës për Juventusin, pas konfirmimeve të Milik dhe Rabiot. Lojtari i datëlindjes 2000 luan për kombëtaren amerikane, ai kërkonte me ngulm Serinë A dhe tashmë ka zbarkuar në Torino për të veshur fanellën bardhezi.

Juventusi ka arritur një akord me Lilën për 12 milionë euro, ndërsa lojtari do të firmosë për 5 vjet. Fillimi zyrtar i aventurës italiane për Ueah është parashikuar për më 10 korrik, kur do të grumbullohet skuadra dhe ai do të jetë nën urdhrat e Alegrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë