Futboll

Milani e merr seriozisht merkaton. Jo vetëm Kamada, në listë spikat Milinkoviç-Saviç

Gazeta Si – Me të ardhurat që do të grumbullojë nga shitjet, Milani pretendon të bëjë një merkato ndryshe këtë verë. Në listën e klubit kuqezi janë shumë emra, pasi ka një buxhet më të madh.

Maldini dhe Masara po punojnë prej ditësh për merkaton. Për momentin kanë në duar rreth 50 milionë euro, që mund të shtohen të paktën deri në 80 milionë nga shitja e disa lojtarëve. Origi pëlqehet në Turqi, Rebiç në Gjermani, për të vazhduar me Balo Toure, Adli, Bakajoko dhe Ibrahimoviç që do të tërhiqet. Janë po ashtu edhe Dest dhe Vranks, që nuk do të blihen.

Milinkoviç-Saviç, mesfushori serb i Lacios. Gazeta Si, 30 maj 2023

Milani po kërkon lojtarë, të cilëve u ka përfunduar kontrata. Ka mbyllur me kohë akordin me Sportielon, që do të marrë vendin e Tatarushanut. Ka akord edhe me Kamadën, që vjen nga Eintraht Frankfurt. Më shumë nevojë për afrime ka në mesfushë dhe në shënjestër janë Loftus-Çik dhe Fratezi, ndërsa emri i fundit që spikat është Milinkoviç-Saviç.

Serbi nuk do të rinovojë me Lacion dhe do të jetë në merkato për një shifër rreth 30-35 milionë euro. Mesfushori pëlqehet nga shumë klube, por Milani beson se mund ta realizojë këtë goditje.
Për sulmin, emri i parë në listë është Openda, për të cilin Lens kërkon 30-35 milionë euro. Klubi kuqezi pretendon ta ulë këtë shifër, duke futur ndonjë lojtar në tratativa, për shembull Adli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë