Futboll

Milani arrin akordin me Piolin, 1.5 milionë euro për trajnerin e ri

Stefano Pioli ka arritur akordin me Milanin dhe do të jetë ai “timonieri” i kuqezinjve në vazhdim. Pritet vetëm zyrtarizimi i trajnerit të ri nga klubi kuqezi, por disa detaje janë mësuar tashmë. Ish-trajneri i Interit, Lacios, Fiorentinës dhe disa skuadrave të tjera, do të firmosë një kontratë dyvjeçare me Milanin dhe do të përfitojë rreth 1.5 milionë euro. Pioli ishte kontaktuar që të hënën nga Boban dhe Maldini, pasi ra poshtë pista e Luçiano Spaletit, i cili ishte zgjedhja e parë e drejtuesve të klubit.

Marko Xhampaolo nuk ia doli dot në krye të kuqezinjve dhe aventura e tij mbyllet pas shtatë javësh kampionat. Milani i tij ka zhgënjyer në lojë dhe në rezultate, ndaj dhe për drejtuesit e klubit ishte i pashmangshëm ndryshimi i trajnerit. Eksperienca e fundit e Piolit ishte ajo me Fiorentinën, në periudhën 2017-2019. Sezonin e parë e mbylli në vend të tetë, me 57 pikë, kurse në prill të këtij viti dha dorëheqjen, duke e lënë Fiorentinën në vend të 10-të në kampionat dhe në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.

Me ardhjen e Stefano Piolit, Milani pritet të luajë me skemën 4-3-3, megjithëse ai është një trajner që përshtatet taktikisht me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion. Në Milanelo gjen Lukas Bilian, të cilin e ka pasur te Lacio një nga lojtarët më të rëndësishëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë