Futboll

Milan në sulm për Spaletin, Alegri drejt Mançester Junajtid

Fitorja në Xhenova nuk mjafton për trajnerin Marko Xhampaolo, largimi i të cilit nga stoli i Milanit është punë orësh. Klubi nuk është i kënaqur dhe po studion situatën për të gjetur zgjidhje të tjera, megjithatë nuk është aspak e lehtë për të gjetur zëvendësuesin. Pakënaqësia e drejtuesve të Milanit u pa qartë në “Marassi”, ku pavarësisht fitores, fytyrat e Bobanit dhe Gazidis ishin të ngrysura. Ra në sy po ashtu edhe mungesa e Maldinit në tribunë gjatë pjesës së dytë.

Në këto kushte, drejtuesit e klubit janë dakord me pronarët dhe kanë nisur të kërkojnë trajnerin e ri. Emri i parë në listë është Luçiano Spaleti, ish-trajneri i Romës dhe Interit, pasi Boban kërkon një trajner të një profili të lartë. Mund të investojë pak më shumë, por vetëm për një trajner të rëndësishëm. Spaleti vështirë se bindet dhe paraprakisht ka refuzuar, por nuk është se e ka mbyllur derën. Emra të tjerë si alternativa për të marrë drejtimin e Milanit janë Pioli, Ranieri, Rudi Garcia dhe Prandeli, por të gjithë pas Spaletit.

Masimiliano Alegri. Gazeta Si, 7 tetor 2019

Një tjetër trajneri i njohur italian, Masimiliano Alegri, është pranë rikthimit në punë. Ish-trajneri i Juventusit shihet si njeriu që do të zërë vendin e Ole Gunar Solskjaer te Mançester Junajtid. Pas humbjes së fundit në kampionat me Njukasëllin në transfertë, norvegjezi duket se e ka mbyllur me “Djajtë e kuq” dhe mungon vetëm zyrtarizimi. Me 9 pikë në 8 ndeshje Mançesteri ka kompromentuar gjithçka dhe klubi anglez ka vënë në shënjestër Alegrin, siç bën me dije “La Gazzetta dello Sport”. Për momentin bëhet fjalë vetëm për një dëshirë të drejtuesve të Mançesterit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë