Futboll

Milan-Inter për rekord, të ardhurat nga Championsi i kalojnë 10 milionë eurot

Gazeta Si - Pas një jave Milano do të jetë në ‘flakë’. Luhet derbi i parë gjysmëfinal i Championsit dhe që 7 ditë para tij stadiumi është ezauruar. Tashmë 74 mijë biletat kanë një emër, ndërkohë që ka shumë tifozë të zhgënjyer.

Interesimi i jashtëzakonshëm për biletat ka krijuar probleme në sistemet e shitjes së biletave online. Milanistët janë vënë në radhë pranë selisë së Milani që mbrëmjen e së shtunës.

Milani nuk do ta bëjë të ditur shifrën e të ardhurave të siguruara nga biletat, me shumë mundësi do të presë ditën e ndeshjes, por parashikimet mund të bëhen. Me siguri Milan-Inter do të kalojë 9.133.842 eurot e arkëtuara nga Milan-Totenhem (mesatarja 122 euro bileta), duke u bërë ndeshja e futbollit me arkëtimin më të madh të të gjitha kohërave në Itali.

Nga një derbi mes Milanit dhe Interit. Gazeta Si, 3 maj 2023

Rekordi do të thyhet me siguri që në ndeshjen gjysmëfinale të kthimit në Champions, pasi Interi ka vendosur çmime më të larta. Inter-Milan do të jetë ndeshja numër 1 në histori për të ardhurat e arkëtuara nga biletat.

Milani të mërkurën e ardhshme do të kalojë për herë të parë në Itali ‘murin’ e 10 milionë eurove. Klubi ka zgjedhur dy fasha çmimesh: një për abonentët (nga 69 në 419 euro), dhe një për shitjen e atyre që kanë ‘Cuore RossoNero’ (nga 104 në 459 euro). Totali nga abonentët është rreth 800 mijë euro më i madh se ai i Milan-Totenhem.

Si për ndeshjen çerekfinale Milan-Napoli, nuk do të shkohet në shitjen e lirë të biletave. Këto 10 milionë të ardhura nga biletat janë thelbësore për bilancin e Milanit, falë ecurisë mjaft të mirë në Chamopions.
Kërkesat janë shumë të mëdha për ndeshjen e kthimit mes Interit dhe Milanit, aq sa do të mbusheshin dy stadiume. Interi ka 41 mijë abonentë që menjëherë janë vënë në lëvizje për një biletë nga ato që janë rezervuar për ta më 16 maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë