Muzike

MIK Festival risjell për të 5-tin vit magjinë e muzikës klasike në Korçë

Nga Gazeta Si - Korça e serenatave këto ditë (nga data 29-31 korrik) iu dorëzua muzikës klasike me MIK Festival në edicionin e tij të pestë.

Sopranoja Inva Mula, njëherësh edhe organizatore e këtij eventi, bëri bashkë artistë shqiptarë e të huaj në koncertin që u mbajt në disa vendndodhje që nga Prespa, në teatër deri në pazarin e qytetit që solli Elina Dunin me koncert unik, Emily Rose, etj.

Teatri “Andon Zako Çajupi”, Hani i pazarit të vjetër, Shtëpia muze e Sterjo Spases dhe ishulli i Maligradit në Pustec u vunë në dispozicion për artdashësit.

“Mendoj që muzika klasike është boshti i këtij festivali dhe i jep tonin këtij festivali”, do të shprehej sopranoja Inva Mula.

Inva, e bija e një nëne ruse, i bëri homazh edhe Ukrainës me muzikë të kompozitorit ukrainas Kapustin.

“Misioni i këtij festivali është përçimi i mesazheve humane dhe kulturore me shije, në një kohë kur ende  është lufta aktive në Ukrainë dhe ky festival tenton të jetë më pranë çdokujt, ndaj jo më kot njëra nga veprat e vëna në skenë ishte nga një kompozitor ukrainas”, u shpreh Inva Mula.

Edhe Bashkia Korçë ka publikuar në rrjete sociale foto nga ky event, që mblodhi artdashës, vizitorë dhe turistë të ndryshëm.

“Një mbrëmje e mrekullueshme dje tek Hani i Pazarit me zërin mahnitës të Elina Dunit, e cila vijoi në qendër të Pazarit të Vjetër me muzikën e kompozitorëve të famshëm grekë, interpretimin e balet maestros Ilir Shaqiri, dhe vokalin e shkëlqyer shqiptar Ledina Çelo”, thuhet në njoftimin e bashkisë Korçë.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti e ka cilësuar këtë festival si një ndër më të veçantët që mbahet në qytetin e Korçës.

MIK Festival tashmë është jo vetëm eventi më me klas dhe sharm i muzikës internacionale në Shqipëri, por ka për qëllim edhe të promovojë turizmin në zonën e juglindjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë