Analize

Mijëra shqiptarë pa nënshtetësi në Maqedoninë e Veriut

Çfarë do të ndodhë me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që nuk kanë nënshtetësi sepse vendi fqinj ka refuzuar t'i njohë deri më sot si shtetasit e tij? Pas anulimit të regjistrimit të popullsisë i cili të faktonte për herë të parë se sa shqiptarë jetojnë në Maqedoninë e Veriut, qeveria në Shkup ka vendosur të çojë në parlament një ligj që do mundësojë të pajisen me shtetësinë maqedonase të mijëra qytetarëve.

Kuvendi Maqedonisë së Veriut pritet të mbajë një procedurë parlamentare për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për shtetësinë, i cili është propozuar nga dy partitë e opozitës shqiptare, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët.

Ndryshimet e këtij ligjit të diskutueshëm synojnë zgjidhjen e problemit të mijëra qytetarëve, kryesisht shqiptarë, të cilët edhe 30 vjet pas pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, nuk kanë arritur të pajisen me nënshtetësi maqedonase. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut jetojnë në një masë në diasporë, për shkak të rrethanave politike, duke mos marrë nënshtetësinë shqiptare. Deri më tani, jozyrtarisht të dhënat flasin se mbi 100 mijë qytetarë të Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë shtetit që nuk kanë arritur të regjistrohen.

Por, ky propozim-ligj që mbështetet edhe nga partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate (LSDM) e kryeministrit Zoran Zaev, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e Ali Ahmetit, ka nxitur reagime të shumta nga partitë opozitare maqedonase.

Opozita maqedonase ka paralajmëruar se do të bllokojë ligjin në forma të ndryshme, pasi ka thënë se është antikushtetues. Opozita argumenton se përmes këtij ligji synohet pajisja me shtetësi, pa asnjë kriter, e mijëra personave të tjerë, që mund të ndryshojnë edhe përbërjen etnike të vendit, duke aluduar te shqiptarët.

Skënder Rexhepi, kryetar i Grupit Parlamentar i opozitës shqiptare, thotë se me këtë propozim-ligji synohet të zgjidhet një problem jetësor i mijëra shqiptarëve të cilët sigurimi i shtetit, sipas tij, i kishte shpallur të rrezikshëm duke u mohuar edhe të drejtat me elementare për jetë.

“Ligji i cili aktualisht është në fuqi, është në dëm të qytetarëve të cilët kanë problem me pajisjen me shtetësi, e të cilët jetojnë në kushte mizore në këtë shtet. Sigurimi i ka lënë mijëra njerëz pa shtetësi deri më sot, duke i karakterizuar ata si të rrezikshëm për shtetin, pavarësisht se kanë bërë edhe nga 70 vjet jetë këtu”, ka deklaruar Rexhepi.

Kryeministri Zoran Zaev thotë se propozimi sjell lehtësira për shqiptarët që nuk mund të pajisen më nënshtetësi.

“Me ligjin e ri vetëm se zgjerohen kriteret dhe lehtësohen procedurat që këta njerëz të mund të pajisjen me shtetësi. Janë rreth 15 apo 16 kritere të reja, në bazë të procedurës mbi ndryshimet e fundit në Ligjin për shtetësi në vitin 2004. Në kuadër të propozim-ligjit kemi përfshirë edhe rregulloren evropiane sesi mund të jepet shtetësia në raste të ndërlikuara që nuk e arritën këtë të drejtë në procedurën normale”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Ligji planifikohet të miratohet me procedurë të përshpejtuar që mundëson miratimin e ligjit brenda disa ditësh. Por kalimi i shpejtë i ligjit, ka bërë që partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE të paralajmërojë bllokimin e tij përmes formave të ndryshme.

“Ne do të bllokojmë kuvendin për të detyruar pushtetin që të heqë dorë nga miratimi i këtij ligji, pasi ka për qëllim që në mënyrë artificiale të pajisë me shtetësi rreth 70 apo 80 mijë persona. Ky ligji nuk do të kalojë. Ne tashmë kemi dorëzuar edhe një propozim tonin, me të cilin planifikohen dënime me burg për çdokënd që keqpërdor procedurën e shpejtuar për miratimin e ligjeve, siç po ndodh edhe në rastin konkret me Ligjin për shtetësinë”, ka deklaruar deputeti i partisë “E Majta”, Borisllav Krmov.

Në fakt opozita maqedonase ka qënë prej kohësh kundër regjistrimit të popullsisë nga "frika" e daljes së shifrave zyrtare për numrin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Partia kryesore opozitare, VMRO-DPMNE ka përdorur deri më tani të gjithë mekanizmat institucionalë për të parandaluar regjistrimin e popullsisë, duke i bërë thirrje Presidentit Pendarovski të mos e dekretojë.

Shqiptarët në vendin fqinj raportohet se janë 30% të popullsisë, por shifra reale mendohet të arrijë deri në 40%.

Regjistrimi ishte parashikuar të zhvillohej nga 1 deri më 20 prill, por lideri i opozitës maqedonase, Kristian Mickovski kërkoi shtyrjen e këtij procesi për shkak të përkeqesimit të gjendjes epidemiologjike nga koronavirusi.

Duke komentuar zhvillimet e fundit, profesori Abdulla Mehmeti thotë se nuk beson se në Maqedoninë e Veriut do të bëhet ndonjëherë një regjistrim real i popullsisë, pasi rrezikon që të ndërrohet koncepti i shtetit.

“Tani këtu ka dy përgjigje, do të dalë aq sa ka vendosur pushteti, regjistrim real nuk mund të ketë në Maqedoni sepse ka shumë faktorë, që nuk i përgjigjen aktualisht politikës së shtetit nuk do të lejojnë që të bëhet një regjistrim real. Pa shqiptarët ortodoksë, realisht numri i popullsisë shqiptare duhet të arrijë mbi 35-40%. Pushteti nuk është gati të bëjë regjistrim real sepse ndërrohet koncepti i shtetit. Numri i shqiptarëve ortodoksë janë 70-100 mijë”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë