Lajme

Mevlan Shanaj nderohet në Koko Fest: Me fat që kam lënë fytyrën time në ekran

Ashtu siç e  lajmëroi më herët Zamira Kita, drejtoreshë e Teatrit të Korçës dhe organizatore e Festivalit Mbarëkombëtar  të Komedisë, KoKo Fest e sfidoi pandeminë duke e realizuar edicionin e shtatë të tij në qiell të hapur.

Pas gjatë netësh feste për qytetarët, që mundën të ndiqnin shfaqet në vendndodhje të ndryshme si oborri i Muzeut  Kombëtar të  Arsimit, tek Hani i Pazarit, Muzeu Arkeologjik  dhe Parku i qytetit, mbrëmë u shpërndanë edhe çmimet për fituesit.

Juria e përbërë nga  personalitete të teatrit dhe kinemasë shqiptare si Timo Flloko, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Rajmonda Bulku dhe Albert Minga vlerësuan  si shfaqja më e mirë, komedinë  “Pas Vdekjes”,  e shkruar nga Çajupi e me regji të Hervin Çulit, me të cilën u prezantua teatri i Korçës “Andon Zako Çajupi” , që këtë vit  kremton 70-vjetorin e themelimit. Çmimi i regjisë më të mirë i shkoi Elona Hysenit, nga Teatrit i Metropolit, Tiranë me shfaqjen “Sot, 8 ditë”.

Aktorja më e mirë u çmua Olta Daku, në rolin e Shirli Valentina, një monodramë homonime, si një bashkëpunim i saj me regjisoren Driada Dervishi dhe Teatrin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”.

“Shirli Valentina” u dha për herë të parë në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në vitin 2017. Ky ishte bashkëpunimi i parë i aktores Olta Daku me Teatrin e  Durrësit, bashkëpunim i cili u prit e vazhdon të pritet me mjaft sukses. Prej tre vitesh kjo komedi nën regjinë e Driada Dervishit qëndron në repertorin teatror dhe merr pjesë në festivale, si ai i Koko Fest këtë vit. “Faleminderit Koko Fest për vlerësimin”, shkruante Daku, që një pjesë të çmimit ia dedikoi regjisores Dervishi, me të cilën kanë bashkëpunuar në disa shfaqje.

Aktori më i mirë u vlerësua Ervin Bejleri, për rolin e ti në komedinë “ Nuk flas, nuk shikoj nuk dëgjoj”. Të tjerë çmime për aktorë në rol karakter u ndanë për aktoren Klodiana Keço dhe korçarin Albano Prodani.  Vlerësime pati edhe për aktorin dhe aktoren e re, më të  mirë, që shkuan për Erin Kujofsën dhe aktoren e Teatrit “Migjeni”, Krist Lleshi.  

Siç edhe e zbuloi pak ditë më parë, Kita për Gazeta Si, KoKo Fest në këtë edicion të shtatë  nderoi me çmimin e Karrierës aktorin dhe regjisorin Mevlan Shanaj, me motivacionin si personalitet i artit dhe kulturës shqiptare, me kontribut të shquar në filmin dhe teatrin shqiptar.  

“Mbrëmë isha tepër i vlerësuar nga  publiku korçar,  me  çmimin e Karrierës. Kam qenë me fat që kam lënë në ekran dhe përgjithnjë  drama të  tij , ekranizime, filma artistikë, fytyrën time të  ekranit dhe dhjetëra punë  si  regjisor  filmi artistik dhe dokumentari .Mirënjohje qytetareve,  dhe kolegeve bashkëpunëtorë të  Korçës unikale. Falënderim Zamira Kitës si përfaqësuese e kulturës së këtij qyteti. Kënaqësi që këtë çmim ma dorëzoi  i famshmi Dhimitër Orgocka”, do të shkruante në rrjetet sociale Shanaj, i cili e cilësoi një Festë që për gjashtë ditë , në kushte të veçanta u përballua në formën më të bukura.

“Shfaqjet u ndoqën në mjediset më  të përzgjedhura të  kulturës  që përfaqëson qytetin , padyshim më  të  civilizuar të  Shqipërisë. Publiku europian i Korçës është prej viteve 30  model i çdo lloj bërthamë kulturore , ne te gjitha drejtimet. Teatri A.Z.Çajupi vazhdon të  jetë  udhërrëfyes kombëtar me dinjitetin e tij artistik, përfundon Shanaj.

Ky Festival po merr trajtën e traditës, që e kthen në një pikëtakim të teatrove të trojeve shiqipfolëse që i vijnë publikut korçar me plot të qeshura përmes komedive dhe arriti të kapërcejë sfidat e pandemisë dhe rregullave kundër koronavirusit, duke iu dhuruar qytetarëve të qeshura në natyrë dhe jo përmes botës virtuale të internetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë