Suadela Balliu - Vitin e kaluar, një vajzë, tek dëgjonte ndite festivalin e dramës shqipe, do të thoshte e habitur: “Ua, unë jam nga Kanina dhe s’më ka vajtur ndërmend rreth këtyre që po shoh këtu, por me t’u kthyer do të pyes...”Kjo është e bukura e këtij festivali, thotë regjisorja Sonila Kapidani, një prej organizatoreve të festivalit të teatrit “Metrofest”, edicioni i dytë i të cilit çelet mbrëmjen e 3 tetorit, në sallën e Teatrit të Metropolit. “Sheh një kolorit të vendit tënd për të cilin nuk të kishte shkuar mendja, kur e ndien më të afërt me veten atë që sheh në skenë...Sepse shpeshherë, gjërat që i kemi, nuk i shohim të arsyeshme t’i vlerësojmë. Por cili është vlerësimi dhe raporti me gjërat tona, me atë çka ne jemi? Është e vakët? Le të jetë, por është e jona. Duhet vetëm të shohim si mund ta gjallërojmë e t’i japim mundësi të flasë sot”, vijon Kapidani, ndërsa shton se në punën e saj si regjisore ka një përkushtim të veçantë ndaj dramës shqipe, ku në nëntë shfaqje që ka ngjitur në skenë, shtatë prej tyre kanë qenë dramaturgji shqipe.
Për të sjellë premierë pesë drama shqipe në edicionin e dytë të “MetroFest”, i cili nis fill pasi u mbyll Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, organizuar nga Teatri Kombëtar, është punuar për një vit të tërë, zbulon Kapidani, ndërsa shton se puna për edicionin e dytë nisi menjëherë me t’u mbyllur i pari. “Është një punë e gjatë kërkimore në bibliotekë”, thotë Kapidani “ dhe nga ato shihen më pas cilat e kanë mundësinë të vihen në skenë. Ka nga ato vepra me shumë personazhe që kërkojnë edhe më shumë fonde për t’u realizuar. Ne kemi kërkuar zgjedhje të përballueshme, të cilat e krijojnë terrenin, por edhe financiarisht janë të realizueshme.”
Nga puna kërkimore në skedarët e bibliotekës dolën në dritë pesë vepra; “Kryet e Hudhrës” nga Kristë Berisha, “Rrajët lëvizin” nga Ernest Koliqi, “E mbesa e krahinarit” nga Kristo Floqi, “Makaronat e shejtanit” nga Lazër Lumezi dhe “Prangat” nga Halil Laze. Të pesta këto drama premierë, vijnë si prodhim i teatrit të Metropolit.“Këtë vit i kemi shkuar pak më thellë profilizimit” , rrëfen Kapidani, “Së pari kemi dashur që këto vepra të njihen skenikisht; jo vetëm si botime dhe letërsi dramatike, por si vepra skenike dhe së dyti kemi dashur t’u ofrojmë aktorëve mundësi për kërkim”.Kapidani thekson sfidën me të cilën përballen aktorët e rinj, të sapodiplomuar, për të gjetur hapësira të reja ku të prodhojnë shprehi skenike.
“MetroFest vjen si si një sfidë e të gjithë trupës; regjisorëve dhe aktorëve, me një tekst që ka nevojë për rishikim.”Kjo qasje e këtij festivali ndaj dramës shqipe, e cila vjen nga forma narrative e përkthyer për herë të parë në gjuhë skenike, është një ndihmesë për aktorët drejt kërkimeve dhe provave të reja.Nëse vitin e kaluar, drama shqipe ishte si formë e të mbledhurit bashkë, këtë vit, zbulon Kapidani, vjen si njohje dhe kërkim, “një lloj laboratori i përbashkët njohjeje dhe kërkimi.”Kur një shkrim dramatik përbën një sintezë përvojash njerëzore, të vërtetash, mitesh, ëndrrash apo dyshimesh, që janë ende aktuale, atëherë ai merr vlerën e një porosie që vjen nga ata që jetuan dikur. Ndaj qëllimi kryesor i këtij festivali është rigjallërimi i teksteve dramatike nga arkiva e dramës shqipe bazuar në një rrugëtim zbulimesh të reja të shprehive skenike.
Siparin e këtij edicioni të dytë të “MetroFest” e ngre shfaqja “Kryet e Hudhrës”, ku Kapidani është regjisore. “Është një komedi që, sipas studiuesve, ka vendosur themelet e komedisë në Kosovë”, rrëfen regjisorja, ndërsa shton se ka qenë në një përpjekje për gjetjen e fillesave të dramaturgjisë shqipe. “Kam dashur të shoh edhe kush janë dramaturget e para dhe kisha gjetur Meri Dhrosonkëtu në Shqipëri, por nuk ishte ndër ato vepra që mund të konsiderohej për rivënie; ishte shumë brenda skemës së atëhershme dhe ishte e vështirë të rindërtohej.”Nëse vitin e kaluar kjo festë e teatrit zgjati një javë, këtë vit është menduar të shtrihet në dy të tilla. Me t’u mbyllur e para me 7 tetor, çelet sërish për publikun nga data 10 deri më 14 tetor.
Kjo zgjedhje ka ardhur për t’i lënë më shumë kohë dhe hapësirë publikut të shijojë, por edhe aktorëve që të mund të komunikojnë më fuqishëm, në një përballje të dytë me publikun. Në ditët në vijim, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë shfaqje si “Makaronat e Shejtanit” , që vjen me regji të Rexhina Mollaymeri, “Prangat” , regjisuar nga Klesta Shero, “Rrajët lëvizin” , me regji të Rozi Kostanit dhe “Mbesa e krahinarit” , me regji të Aldi Hysotoçi“Aktorët e angazhuar janë të të gjitha grupmoshave”, zbulon Kapidani, duke shtuar se të gjithë janë zgjedhur përmes audicioneve. “Në shfaqjen time ka kryesisht të rinj, sepse është një lloj “comedia dell’ arte” dhe si e tillë ka nevojë për aktivitet fizik. Ka pantomima, akrobaci...është shumë e gjallë.”
Por të pranishëm do të jenë edhe emra të njohur të teatrit si Luftar Paja, në shfaqjen “Mbesa e krahinarit” apo aktori shkodran Bruno Shllaku në veprën e Ernest Koliqit “Rrajët lëvizin” , me regji të Rozi Kostanit, e cila edhe do të interpretojnë në skenë si aktore. “Edhe vitin e kaluar kemi pasur ndërthurje të breznive”, thotë Kapidani, “një nga pyetjet që lind sa herë ulemi e bisedojmë mes aktorësh dhe regjisorësh është: Si ka ndryshuar forma? Si e përdornin fjalën, gjestikulacionin aktorët e para viteve ‘90 dhe si është transformuar në brezat më të rinj? Dhe këto dallime i sheh përmes punës.”
Në fund të këtij festivali nuk do të ketë ndarje çmimesh. “Nuk është konceptuar i tillë që në fillim. Mendoj se duhet të jetë një kohë e konceptimit të teatrit në Shqipëri dhe nuk është nevoja për çmime, mendoj.”, vijon Kapidani, duke kujtuar se që në edicionin e parë “MetroFest” u mendua si një ballafaqim me publikun. “Kemi pasur biseda pas çdo shfaqjeje dhe njerëzit kanë ndenjur në sallë për të diskutuar. Kemi marrë nga ata mendime dhe opinione, të cilat i kemi diskutuar dhe vlerësuar më pas si staf.”
Këtë vit, mendon Kapidani, do të donin që diskutimi që do të prodhohet do t’u shërbejë aktorëve, duke nisur nga nevojat e mirëmbajtjes fizike, tek repertori intelektual, leximet e reja apo mundësitë e eksplorimit të formave, që nuk janë hasur më parë në praktikë. Ky festival duket se i fton spektatorët e kryeqytetit të zbulojnë së bashku shtigje dhe përgjigje.“Mendoj se është më produktive ndërtimi i një strukture, ku njerëzit angazhohen për të biseduar. Na duhet të krijojmë struktura, të largojmë negativitetin dhe të lehtësojmë punën.”, përfundon Kapidani, ndërsa kthehet sërish në skenën e teatrit Metropol, për të mbyllur detajet e fundit me shfaqjen e saj, që do të çelë këtë edicion të dytë të festivalit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.